Ballina Bota Dyzet vjet pasi hoqi dorë prej saj, Italia përgatitet t’i rikthehet energjisë...

Dyzet vjet pasi hoqi dorë prej saj, Italia përgatitet t’i rikthehet energjisë bërthamore

Gati dyzet vjet pasi i ktheu shpinën energjisë bërthamore, e tronditur nga katastrofa e Çernobilit, Italia po përgatitet t’i rikthehet asaj. Me nismën e qeverisë së Giorgia Melonit, një ligj që vendos bazën juridike për një program të ri bërthamor u miratua përfundimisht nga Senati të mërkurën, më 23 shtator, me 81 vota pro, 51 kundër dhe shtatë abstenime. Teksti, i miratuar më parë edhe nga Dhoma e Deputetëve, ende nuk autorizon ndërtimin e ndonjë reaktori. Por ai i jep qeverisë 12 muaj kohë për të miratuar dekretet që do të përcaktojnë procedurat, standardet e sigurisë, administrimin e mbetjeve, si dhe kriteret për përzgjedhjen e vendeve ku mund të ndërtohen reaktorët e ardhshëm.

Me rikthimin tek energjia bërthamore, Roma synon të mbështetet para së gjithash te një brez i ri teknologjish. Reaktorët e vegjël modularë, të njohur me shkurtesën SMR, do të jenë në qendër të kësaj strategjie, duke zëvendësuar modelin e centraleve të mëdha të së kaluarës. Ministri i Mjedisit dhe Sigurisë Energjetike, Gilberto Pichetto Fratin, shpreson që reaktorët e parë italianë të hyjnë në punë rreth vitit 2035.

„Energjia bërthamore nuk është kthim në të kaluarën“, tha ai pas votimit, duke argumentuar se ndërthurja e saj me burimet e rinovueshme mund të forcojë sigurinë energjetike të vendit.

Roma synon të garantojë sigurinë e saj energjetike

Italia i mbylli të gjitha centralet e saj bërthamore brenda vetëm tre vjetësh, pas referendumit të organizuar në vitin 1987, në vazhdën e aksidentit të Çernobilit. Një përpjekje për ta rikthyer energjinë bërthamore u ndërmor edhe në vitin 2011, por u hodh poshtë nga votuesit pas katastrofës së Fukushimës. Sipas ministrit italian të Mjedisit, këtë herë rikthimi do të realizohet: hartimi i disa akteve zbatuese tashmë ka filluar.

Për Giorgia Melonin, ky ndryshim rrënjësor i kursit duhet t’i mundësojë Italisë të përballet me tri sfida: përmbushjen e objektivave klimatike, rritjen e pritshme të konsumit të energjisë elektrike dhe, mbi të gjitha, cenueshmërinë energjetike të vendit në kushtet e krizës globale të sektorit.

Industria italiane është shumë e varur nga gazi i importuar dhe përballet me disa prej çmimeve më të larta të energjisë në Evropë, megjithëse vendi tashmë importon sasi të konsiderueshme të energjisë elektrike të prodhuar nga centralet bërthamore, veçanërisht nga Franca.

Ashtu si në pjesën tjetër të Evropës, kërkesa për energji elektrike mund të rritet edhe më tej me elektrifikimin e transportit dhe ndërtesave, si dhe me zhvillimin e vrullshëm të qendrave të të dhënave. Për këtë arsye, një pjesë e qarqeve ekonomike e mbështet projektin, duke e konsideruar energjinë bërthamore të rëndësishme për konkurrueshmërinë e industrisë.

Video bonus

„Dua që Italia të jetë një fuqi e madhe industriale dhe kjo nuk do të ndodhë pa energjinë bërthamore“, deklaroi para votimit Carlo Calenda, ish-ministër i Industrisë dhe aktualisht senator i qendrës.

Një teknologji që ende nuk është provuar në shkallë të gjerë

Megjithatë, rikthimi i energjisë bërthamore mbetet ende shumë i pasigurt. Italia vazhdon të mos ketë një depo kombëtare ku mbetjet e krijuara nga programi i saj i mëparshëm bërthamor të mund të ruhen në mënyrë të sigurt. Aktualisht, ato janë të shpërndara në objekte të përkohshme magazinimi. Edhe projektet e ardhshme mund të përballen me kundërshtime të forta nga komunitetet lokale.

Ndërkohë, reaktorët e vegjël modularë SMR, tek të cilët po mbështetet Roma, ende nuk e kanë dëshmuar zbatueshmërinë e tyre në shkallë të gjerë tregtare në Evropë.

Sipas vlerësimeve të industrisë, të cituara nga agjencia amerikane e lajmeve AP, vetëm një reaktor me kapacitet 300 megavat mund të kushtojë nga 3 deri në 6 miliardë euro, pa përfshirë infrastrukturën dhe lidhjen me rrjetin elektrik. Pa prodhim në seri dhe në shkallë të gjerë, këta reaktorë të vegjël do të humbnin avantazhin e uljes së kostos për kilovat që sigurojnë centralet e mëdha të brezit të mëparshëm.

Për të majtën dhe ambientalistët italianë, strategjia e mbështetjes te një teknologji që është ende larg zbatimit dhe e papjekur synon, mbi të gjitha, të largojë vëmendjen nga zhvillimi më i menjëhershëm i energjisë diellore dhe asaj të erës.

Senatori Luigi Nave, nga Lëvizja 5 Yjet, vlerëson në Financial Times se reaktorët SMR mund të mos jenë funksionalë „edhe për të paktën dy dekada“ — shumë vonë, sipas kundërshtarëve të kësaj strategjie, për t’iu përgjigjur urgjencës së sotme energjetike./L’Express