Një ngjarje e rëndë familjare ka ndodhur në fshatin Poterq i Epërm të komunës së Klinës, ku një grua ka humbur jetën nga plagët e marra nga zjarri, ndërsa nëna e saj ka mbetur e plagosur rëndë. Për rastin është arrestuar vëllai i viktimës.
Sipas Policisë së Kosovës, ngjarja ka ndodhur më 6 shtator 2026. I dyshuari dyshohet se fillimisht i ka vënë flakën krevatit ku ndodhej motra e tij, ndërsa më pas ka kaluar në një dhomë tjetër dhe ka sulmuar nënën e tij me një mjet të fortë. Të dyja gratë kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar të dyshuarin. Dy të plagosurat fillimisht janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa për shkak të natyrës së lëndimeve më pas janë transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.
Raporti ditor i Policisë e kishte regjistruar fillimisht rastin më 6 shtator, në orën 18:30, si “vrasje e rëndë në tentativë”. Në raport thuhej se i dyshuari ishte arrestuar pasi dyshohej se kishte kryer veprën ndaj njërës viktimë dhe kishte sulmuar fizikisht një viktimë tjetër.
Një ditë më vonë, më 7 shtator, Policia është njoftuar se motra e të dyshuarit, e cila kishte pësuar lëndime nga zjarri, nuk kishte arritur t’u mbijetonte plagëve. Vdekja e saj është konstatuar nga ekipi mjekësor. Nëna e familjes vazhdon të marrë trajtim mjekësor.
Pas vdekjes së njërës prej viktimave, rasti ka marrë edhe një tjetër kualifikim juridik. Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njoftoi më 7 shtator se i dyshuari është ndaluar nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “vrasje e rëndë” dhe “vrasje e rëndë në tentativë”.
Sipas Prokurorisë, i dyshuari ndodhet në gjendje të paaftësisë mendore. Policia më herët kishte bërë të ditur se ai ishte vendosur në Repartin e Psikiatrisë të Spitalit Rajonal të Pejës, nën përkujdesjen e personelit mjekësor dhe mbikëqyrjen e zyrtarëve policorë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është caktuar ndalimi prej 48 orësh. Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur gjithashtu se ka dorëzuar në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes po vazhdojnë./TN















