Ballina Kronika E rrëmbeu, e lidhi dhe e hodhi nga ura e autostradës/ Zbulohen...

E rrëmbeu, e lidhi dhe e hodhi nga ura e autostradës/ Zbulohen detajet tronditëse të vrasjes së 45-vjeçares italiane nga ish-partneri

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vdekjen e 45-vjeçares Lorena Isceri, e cila u hodh nga një urë në autostradë, në zonën e Barberino del Mugello, Itali.

Sipas hetimeve paraprake, ish-partneri i saj, 36-vjeçari Federico Vella, dyshohet se e kishte rrëmbyer dhe e kishte mbajtur në bagazhin e automjetit të tij, shkruajnë mediat.

Mediat italiane raportojnë se gruaja kishte arritur të lirohej nga lidhëset që i ishin vendosur në kyçet e duarve dhe kishte telefonuar policinë. Telefonata me qendrën e emergjencave thuhet se zgjati rreth 20 minuta.

Në momentet e fundit të telefonatës, Vella dyshohet se hapi bagazhin e makinës. Fjalët e fundit që u dëgjuan në telefonatë ishin: “Çfarë po bën?”, përpara se komunikimi të ndërpritej.

Ende nuk është përcaktuar nëse 45-vjeçarja ishte gjallë në momentin kur u hodh nga ura apo kishte vdekur më herët si pasojë e dhunës.

Prokuroria e Firences po heton mundësinë që ngjarja të ketë qenë e paramenduar.

Sipas rindërtimit paraprak, Vella ishte fshehur në garazhin e ish-partneres së tij, me të cilën ishin ndarë në gusht të vitit të kaluar. Ai dyshohet se kishte ndërhyrë te mekanizmi i dyerve për t’i mbajtur ato të hapura dhe kishte pritur mbërritjen e 45-vjeçares.

Publicitet

Kur Isceri mbërriti për të parkuar makinën, ai dyshohet se e goditi me grusht dhe më pas i lidhi duart me lidhëse që i kishte marrë me vete. Gruaja u vendos në bagazhin e automjetit dhe Vella u largua.

Sipas hetuesve, në bagazh ndodhej edhe çanta e 45-vjeçares. Pasi arriti të çlironte duart, ajo dyshohet se kontaktoi nënën dhe një mik, si dhe telefonoi numrin e emergjencës.

Policia arriti të gjurmonte automjetin përmes vendndodhjes së telefonit të gruas. Kur efektivët mbërritën në viadukt, Vella dyshohet se e kishte nxjerrë Iscerin nga makina dhe e kishte hedhur nga parapeti.

Kur u përball me policët, ai dyshohet se tha se ishte tradhtuar dhe se ishte trajtuar keq. Pak para ngjarjes, 36-vjeçari kishte publikuar edhe një mesazh në rrjetet sociale ku shkruante: “Mirupafshim të gjithëve”.

Pas mbërritjes së policisë, Vella u hodh edhe vetë nga e njëjta urë dhe humbi jetën.

Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për vrasje të qëllimshme dhe kanë urdhëruar autopsinë e të dy trupave.

Ekspertët mjeko-ligjorë do të përpiqen të përcaktojnë nëse Isceri ishte gjallë në momentin kur u hodh nga viadukti, si dhe nëse Vella kishte konsumuar lëndë narkotike.

Janë sekuestruar telefonat e të dyve, ndërsa hetuesit po analizojnë komunikimet dhe lëvizjet e tyre.

Gjithashtu, do të shqyrtohen pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë autostradës dhe kamerat e trupit të policëve që mbërritën në vendngjarje.