Një zjarr i fuqishëm ka shkaktuar një situatë të rëndë gjatë natës në Himarë, ku flakët u përhapën me shpejtësi pranë zonave të banuara dhe bregdetit, duke rrezikuar shtëpi, banorë dhe turistë.
Zjarri nisi në zonën pranë lagjes “1 Maji” dhe, i favorizuar nga era e fortë, mori përmasa të mëdha brenda një kohe të shkurtër.
Për shkak të afrimit të flakëve pranë banesave, autoritetet nisën evakuimin e banorëve dhe turistëve nga zonat më të rrezikuara, ndërsa në terren u dërguan forca të shumta zjarrfikëse, të emergjencave civile dhe të Forcave të Armatosura.
Sipas bilancit më të fundit të bërë publik nga autoritetet, zjarri ka prekur gjashtë banesa, prej të cilave tri ishin të banuara dhe tri të pabanuara.
Momente dramatike janë regjistruar në një prej banesave, ku dy të moshuar ndodheshin në rrezik nga flakët. Ata janë nxjerrë në kohë nga forcat e ndërhyrjes, ndërsa banesa më pas është përfshirë nga zjarri.
Në operacion u angazhuan rreth 300 forca të emergjencave civile nga Himara dhe bashkitë përreth, si dhe mbi 150 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në terren u përdorën gjithashtu 17 mjete zjarrfikëse, ndërsa disa autoambulanca u vendosën në gatishmëri për çdo rast emergjence.
Përhapja e zjarrit u vështirësua ndjeshëm nga era, e cila gjatë orëve të mbrëmjes ndryshonte drejtimin dhe favorizonte avancimin e flakëve drejt zonave të banuara.
Pas afro katër orësh ndërhyrjeje intensive, autoritetet njoftuan se situata ishte vënë nën kontroll dhe se banorët dhe turistët nuk ndodheshin më në rrezik të menjëhershëm.
Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencave vazhduan punën edhe gjatë natës për shuarjen e plotë të vatrave dhe parandalimin e riaktivizimit të flakëve.
Situatë e rëndë edhe në Fier
Paralelisht me zjarrin në Himarë, një situatë e vështirë është regjistruar edhe në zonën e Fierit, ku flakët kanë përfshirë sipërfaqe të konsiderueshme dhe kanë rrezikuar banesa dhe prona.
Tre persona janë paraqitur për ndihmë mjekësore me shenja asfiksie si pasojë e tymit.
Në disa zona është bërë edhe evakuimi i familjeve që ndodheshin pranë vatrave të zjarrit, ndërsa në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan forca të shumta nga toka dhe mjete ajrore.
Autoritetet po vijojnë monitorimin e situatës dhe verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga zjarret.
Deri tani nuk raportohet për viktima nga zjarri në Himarë, ndërsa bilanci material pritet të përcaktohet pas përfundimit të plotë të operacionit dhe inspektimeve në terren.















