Vijojnë kërkimet për Nikolin Tarushën, personin e dyshuar si autor i plagosjes me armë të ndodhur një ditë më parë në Korçë, ku mbeti i plagosur kushëriri i tij.
Sipas burimeve, Tarusha dhe i plagosuri, Dhimitër Shakai, kanë qenë duke udhëtuar së bashku në një automjet, kur dyshohet se mes tyre ka nisur një konflikt për motive të dobëta. Situata ka agravuar dhe Tarusha ka nxjerrë armën e zjarrit, duke e plagosur kushëririn në këmbë.
Shakai është marrë në pyetje nga policia dhe në dëshminë e tij ka deklaruar se konflikti ka nisur për motive të dobëta dhe më pas ka përfunduar me përdorimin e armës. I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka ngritur postblloqe në disa akse rrugore dhe po kryen kontrolle të automjeteve që konsiderohen me interes për hetimin. Gjithashtu, janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së disa bizneseve në zonën ku dyshohet se ka lëvizur autori, me qëllim rindërtimin e itinerarit të tij pas ngjarjes.
Sipas burimeve, Tarusha, i cili prej vitesh jeton në Angli dhe më herët ka jetuar në Greqi, dyshohet se mund të jetë larguar nga zona dhe të jetë fshehur në juglindje të vendit.
Pavarësisht kontrolleve dhe postblloqeve të ngritura, Nikolin Tarusha vijon të jetë në kërkim. Grupi hetimor po punon për lokalizimin e tij dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./vizionplus.tv















