Ballina Aktualitet Rreth 120 banorë të Fushë Arrëzit përfundojnë në spital, dyshohet se janë...

Rreth 120 banorë të Fushë Arrëzit përfundojnë në spital, dyshohet se janë helmuar nga uji i pijshëm

Rreth 120 banorë të Fushë-Arrëzit i janë drejtuar Qendrës Shëndetësore të qytetit gjatë katër ditëve të fundit, pasi kanë shfaqur simptoma që dyshohet se lidhen me konsumimin e ujit të pijshëm.

Banorët kanë ngritur shqetësimin për cilësinë e ujit, duke deklaruar se prej ditësh ai ka një erë të rëndë. Pas denoncimeve, strukturat e Shëndetit Publik dhe të Higjienës kanë marrë mostra nga uji që furnizon banesat e qytetarëve.

Kampionet pritet t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar nëse uji është i kontaminuar, ndërsa deri më tani nuk ka një rezultat zyrtar.

Për situatën ka reaguar edhe nënkryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Mikel Qafa. Sipas tij, përgjegjësia për furnizimin me ujë i përket Shoqërisë Rajonale të Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër.

Ndërkohë, prej ditësh pa një zgjidhje konkrete, banorët janë detyruar të gjejnë alternativa për furnizimin me ujë. Shumë prej tyre po mbushin bidonët në krojet e zonës, në pamundësi për të përdorur ujin që u vjen në rubinet.