Pas vetëdorëzimit, Vlora Hyseni është shoqëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit për komunikimin dhe ekzekutimin e masës së sigurisë të caktuar ndaj saj.
Disa orë pasi SPAK njoftoi vendosjen e masës së sigurisë “arrest në shtëpi”, drejtuesja e SHISH, Vlora Hyseni, është kthyer në Shqipëri dhe i është dorëzuar autoriteteve.
Hyseni ndodhej në Baku, ku kishte marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Pas përfundimit të konferencës, ajo ka mbërritur fillimisht në aeroportin e Prishtinës dhe më pas ka hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës, në Kukës.
Nga Morina drejt Tiranës, Hyseni është shoqëruar me një automjet civil të autoriteteve shqiptare, për ekzekutimin e masës së arrestit në shtëpi.
SPAK e akuzon drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Sipas hetimeve, Hyseni dyshohet se ka përdorur informacione sekrete shtetërore për të ndihmuar në arrati Ergys Agasin, i cili është arrestuar në gusht dhe akuzohet nga SPAK si drejtues i një grupi të strukturuar kriminal në kuadër të hetimeve për aferën e AKSHI-t.
Në njoftimin e SPAK, theksohet se akuza për “përkrahjen e autorit të krimit” i referohet paragrafit të dytë të nenit 302 të Kodit Penal, që lidhet me dhënien e ndihmës për persona të përfshirë në krimin e organizuar./vizionplus.tv















