Nga Joachim Müller-Jung
Kur njerëzit u flasin qenve, truri i kafshëve reagon në mënyrë të ngjashme me tonin. Me sa duket, bashkëjetesa e gjatë na ka afruar edhe në aspektin gjuhësor më shumë nga sa mendohej.
Kur psikologu i kafshëve Brian Hare dhe studiuesi i gjuhës Michael Tomasello konstatuan, pothuajse një çerek shekulli më parë, se qentë mund t’i kuptonin njerëzit më mirë se çdo kafshë tjetër, përfshirë edhe majmunët e mëdhenj, kjo ishte pothuajse një thirrje: në kërkimin e aftësive komunikuese në natyrë, vëmendja duhej përqendruar më pak te gjenet spektakolare dhe më shumë te «njohja shoqërore» — te mënyra e të mësuarit gjatë bashkëjetesës së përditshme brenda grupit shoqëror. Në atë kohë, të dy shkencëtarët punonin në Institutin Max Planck për Antropologjinë Evolucionare në Leipzig, duke u përpjekur, përmes eksperimenteve gjithnjë të reja, të zbulonin sinjalet vendimtare në këtë bashkëjetesë.
Teza e tyre: bashkëjetesa e ngushtë mes njeriut dhe qenit gjatë mijëra brezave u ka dhënë ujqërve të zbutur një lloj bonusi evolucionar. Mirëkuptimi i ndërsjellë është rritur vazhdimisht. Askush nuk e di se çfarë roli luajti fillimisht gjuha e njeriut në këtë proces. E qartë është vetëm se qeni — me aftësi që ndryshojnë nga një individ te tjetri — mund të kuptojë shumë simbole gjuhësore. Edhe pa zhvilluar vetë një gjuhë me gramatikë, ai ka zhvilluar një aftësi për ta kuptuar gjuhën që shfaq ngjashmëri befasuese me atë të njeriut. Këtu përfshihet edhe përpunimi i gjuhës në tru.
Një grup psikologësh hungarezë të kafshëve, të udhëhequr nga Attila Andics në Universitetin Eötvös Loránd në Budapest, të cilët prej vitesh studiojnë aftësinë e qenve për të kuptuar gjuhën, i kanë shqyrtuar tani këto hollësi gjuhësore të njohjes shoqërore në eksperimente të reja. Përmes regjistrimeve elektroencefalografike (EEG), studiuesit vështruan, thuajse fjalë për fjalë, brenda trurit të 20 qenve dhe po aq njerëzve. Elektrodat e vendosura mbi kokë mundësuan regjistrimin dhe krahasimin e drejtpërdrejtë të aktivitetit elektrik në rrjetet nervore të përpunimit të gjuhës te njerëzit dhe qentë.
Elektrodat mbi kokë regjistrojnë aktivitetin e trurit
Megjithatë, nuk bëhej fjalë për komunikim gjuhësor të ndërsjellë. Përkundrazi, si njerëzit, ashtu edhe qentë, duhej të zbërthenin një rrjedhë të pandërprerë rrokjesh, të shqiptuara njëtrajtshëm dhe pa pauza. Në këtë rrjedhë tingujsh nuk fshiheshin fjalë me kuptim. Qëllimi ishte vetëm të kuptohej se si njerëzit dhe qentë e strukturojnë rrjedhën e tingujve, si e ndajnë atë në njësi dhe si e përpunon truri i tyre renditjen e zanoreve dhe bashkëtingëlloreve. Te njerëzit ndodhi ajo që pritej: për ne, bashkëtingëlloret formojnë skeletin e gjuhës. Ndonëse shpesh janë «më të qeta» se zanoret si a-ja ose i-ja, ato theksohen më pak. Por kur bëhet fjalë për të dalluar fjalë si «Hund» — «qen» — brenda një rrjedhe tingujsh dhe rrokjesh, në një mjedis me zhurmë, bashkëtingëlloret janë më vendimtare për ne. Kjo prirje për t’u mbështetur më shumë te bashkëtingëlloret nuk ishte gjetur deri më tani te asnjë kafshë tjetër që komunikon përmes tingujve. Deri tani.
Me studimet e tyre të hollësishme krahasuese, studiuesit hungarezë kanë treguar tani se qentë e përpunojnë vërtet gjuhën njerëzore në mënyrë të ngjashme me ne. Për një kohë të gjatë, madje, mendohej se qentë, ashtu si foshnjat njerëzore në muajt e parë të jetës, mbështeteshin më shumë te zanoret. Urdhra të qartë si «Ulu», «Lësho» ose «Sille» mund të shqiptohen me më shumë forcë dhe shkaktojnë shpejt një reagim. Por në të vërtetë, kur dëgjojnë, qentë përpiqen ta zbërthejnë gjuhën njerëzore përmes bashkëtingëlloreve, njësoj si njerëzit që e zotërojnë gjuhën.
Kjo vlen edhe për qentë në strehimore apo qentë endacakë, të cilët në vitet e para kanë shumë më pak kontakt me njerëz që flasin. Me sa duket, siç shkruajnë shkencëtarët në studimin e tyre në «Science», qentë kanë fituar një aftësi për përpunimin e gjuhës me efikasitet të ngjashëm me atë të njeriut. Të dyja palët i shpërfillin zanoret, që bien më shumë në sy nga ana akustike, në favor të bashkëtingëlloreve, që mbartin më shumë informacion. Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj tingujve mes njerëzve që flasin mund të ketë bërë që qentë, që nga zbutja e tyre, të zhvillojnë një mënyrë të ngjashme të përpunimit të gjuhës, për të bashkëjetuar gjithnjë e më mirë me ne, si kafshë që nga natyra jetojnë në tufa. Kjo është edhe një mësim për njeriun: studimi tregon edhe një herë se sa fort mund ta formësojë gjuha çdo tru biologjik që ekspozohet ndaj saj ditë pas dite.
Burimi: F.A.Z.
Joachim Müller-Jung është redaktor përgjegjës për rubrikën «Shkenca».















