Ballina Kronika Sulmohet nga qentë e rrugës imami në Gjilan teksa shkonte për namazin...

Sulmohet nga qentë e rrugës imami në Gjilan teksa shkonte për namazin e sabahut, përfundon në emergjencë me lëndime trupore

Zgjidhni Tetova News si burim të preferuar në Google!
Zgjidh Tetova News në Google →

Imami i Xhamisë së Vogël në Gjilan, Naser Halimi, është sulmuar nga qentë endacakë mëngjesin e së shtunës (10 tetor), teksa po shkonte në xhami për të falur namazin e sabahut. Si pasojë e sulmit, ai ka pësuar lëndime trupore, ndërsa është detyruar të kërkojë ndihmë mjekësore në emergjencë.

Ngjarjen e ka bërë të ditur vetë imami përmes një postimi në Facebook, ku ka treguar se sulmi ka qenë i rëndë dhe se, përveç lëndimeve fizike, i ka shkaktuar edhe trauma psikologjike.

Sipas rrëfimit të tij, gjatë përballjes me qentë ka pësuar plagë me gjakderdhje dhe dëmtime nga shtypja.

Halimi e ka përshkruar përjetimin si një përballje jashtëzakonisht të vështirë me kafshët, duke thënë se situata i është dukur si një luftë e drejtpërdrejtë për t’u mbrojtur.

Ai ka falënderuar personelin mjekësor të emergjencës për ndihmën e ofruar, si dhe disa qytetarë që kanë ndërhyrë për të parandaluar pasoja edhe më të rënda.

Pas ngjarjes, imami u ka bërë thirrje institucioneve përgjegjëse që ta trajtojnë seriozisht problemin e qenve endacakë dhe të ndërmarrin masa për mbrojtjen e qytetarëve.

Ai ka theksuar se siguria dhe jeta e njerëzve duhet të jenë përparësi, duke paralajmëruar se prania e qenve endacakë përbën rrezik potencial për qytetarët.

Rasti është raportuar nga portali Sinjali, duke iu referuar deklarimit publik të imamit në Facebook. Nuk janë bërë të ditura hollësi të tjera për shkallën e lëndimeve të tij. /Sinjali