Ballina Kronika Tragjedi në Itali: Biznesmeni shqiptar humb jetën në punë, e zë poshtë...

Tragjedi në Itali: Biznesmeni shqiptar humb jetën në punë, e zë poshtë një portë metalike

Një aksident tragjik në punë i ka marrë jetën një biznesmeni shqiptar në Itali. Viktima është Bashkim Rushani, 61 vjeç, pronar i një kompanie ndërtimi, i cili humbi jetën mëngjesin e së mërkurës, 4 nëntor 2026, në Casarano, në provincën e Lecces.

Sipas agjencisë italiane ANSA, Rushani ishte duke kryer punime në një banesë private në zonën Contrada Spagnolo, kur një portë e rëndë metalike rrëshqitëse u rrëzua dhe e zuri poshtë.

Goditja i shkaktoi 61-vjeçarit plagë të rënda. Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, por pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, ndihma rezultoi e kotë dhe Rushani ndërroi jetë në vendin e aksidentit.

Bashkim Rushani ishte i lindur në Durrës, Shqipëri, ndërsa prej vitesh banonte në Casarano. Sipas mediave italiane, ai ishte pronar i një biznesi individual që ushtronte veprimtari në sektorin e ndërtimit.

Në vendin e ngjarjes kanë ndërhyrë karabinierët dhe inspektorët e SPESAL-it, strukturë përgjegjëse për shëndetin dhe sigurinë në vendet e punës. Autoritetet po kryejnë verifikimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit dhe kushtet në të cilat është rrëzuar porta.

RaiNews raporton se Rushani po punonte në rikonstruksionin e disa shtyllave kur ndodhi tragjedia. Sindikata CGIL Lecce e cilësoi vdekjen e tij si viktimën e nëntë në punë në territorin e Lecces gjatë vitit 2026, duke ngritur sërish shqetësimin për sigurinë në vendet e punës.

Rasti i Bashkim Rushanit ishte një nga disa aksidente fatale në punë të regjistruara të mërkurën në Itali, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për secilin prej tyre.

Burimi: ANSA / RaiNews