Ballina Aktualitet Lajme HISTORI NGA JETA: Më B R A K T I S I...

HISTORI NGA JETA: Më B R A K T I S I dhe iku te D A SH N O R J A

Unë që po ju shkruaj jam një vajzë nga Veriu i Shqipërisë. Historia ime fillon në vitin 2009, kur familja ime, pas mbarimit të shkollës së mesme, vendosi të më martonte me mblesëri me një djalë të ardhur nga Amerika i cili kishte shtëpinë në qytetin tim. Unë isha shumë e bukur dhe të gjithë djemtë në qytetin tim më viheshin pas duke më ngacmuar. Më folën pak për të dhe më dukej shumë çun i mirë. Edhe për t’u parë, ishte alamet çuni! Vendosa të pranoja propozimin e familjarëve të mi. Unë isha vetëm 18 vjeçe, ndërsa ai ishte 34. Kishim diferencë të madhe, por mendova se kjo gjë do të më rriste e ai do më këshillonte në çdo hap që të hidhja. U fejova dhe qëndruam së bashku 3 vjet të fejuar. Ai kishte probleme me letrat në Amerikë dhe për të më marrë, nuk më merrte dot, por edhe për t’u kthyer, nuk kishte dëshirë. Gjatë verës vinte më takonte e dilnim shëtisnim pa fund nëpër plazhet e gjithë vendit.

Ishim të lumtur. Të paktën unë e vlerësoja shumë këtë gjë sepse ai bënte shpenzime të mëdha për të ardhur e për të më takuar. Kur vinte ai, mua më qeshte buza sepse mund ta quaja veten sikur kisha rënë në dashuri, ngaqë ai ishte njeriu i vetëm që kisha pasur në jetë. Ai dukej sikur ishte i lumtur me mua, por mirë e thashë, dukej, sepse tjetër gjë ishte në të vërtetë. Unë ngela shtatzënë që në fejesë dhe e mora vesh e i tregova me telefon. Gjatë kësaj periudhe, ai erdhi për të më qëndruar më pranë. Isha shumë e lumtur sepse edhe pse nuk ishim të martuar, po bashkëjetonim te familja e tij. M’i plotësonte të gjitha dëshirat dhe unë ndihesha si një princeshë në krahët e tij.

Gjithçka nisi një ditë vere kur po bëheshim gati për të ikur në plazh. E mbaj mend si sot që unë kisha veshur një fustan shumë të hollë sepse më ishte bërë barku shumë i madh dhe një palë sandale të sheshta rozë. Ai ishte veshur si përherë me bluzë dhe xhinse të shkurtra. Kur po fuste rrobat e plazhit në makinë, i ra telefoni në tokë dhe iu thye. Iu prish ekrani, me sa di unë dhe ma dha në dorë mua. Më tha: “Fute kartën te telefoni yt”. Unë ashtu bëra dhe e futa kartën.

Telefoni i tij ishte gjithnjë me kod, por nuk bëhesha kurrë kurioze ta pyesja pse, sepse nuk merrej kurrë me të, që të më linte të dyshoja. E futa kartën, por telefoni im i hapi të gjitha pa kod. Pashë mesazhet dhe thirrjet e Amerikës. Unë isha në makinë dhe ai, para pallatit, duke folur me të ëmën. Për pak sa nuk më ra të fikët nga gjërat që lexova. Mesazhe të pafundme me një grua të martuar që ishte moshatare me të dhe jetonte atje pranë tij. Të dy, i shprehnin njëri-tjetrit dashuri të përjetshme. S’e di si durova pa dalë nga makina dhe pa e degjeneruar në sy të së ëmës. Zoti më dha forcë dhe prita derisa erdhi. Ai hyri në makinë dhe më tha:

– Më fal shpirt, që të lashë të prisje…

Unë s`munda as ta shikoja në sy. I dha makinës dhe ndërkohë, dolëm nga lagjja jonë. Aty nuk durova dot më dhe i thashë:

– Po ti, fytyrë e qelbur, prandaj s`më merr mua atje sepse ke atë bushtrën që ka edhe kalamaj?

Atij i erdhi inat që i kisha hapur telefonin dhe ma futi shpullë e më tha:

– Telefonin tim, të jetë hera e parë dhe e fundit që ma prek! – por unë e kuptova se ajo shpullë nuk ishte edhe aq për telefonin, sesa për fjalët ofenduese që i shpreha. Vendosa të ndahesha prej tij. Për momentin, mendova se vajza që kisha në bark nuk e meritonte një baba si ai, që po shkatërronte bashkë me një mëkatare lumturinë e disa fëmijëve të tjerë, ndaj i thashë:

– Më kthe, se nuk dua të iki në plazh!

E ktheu makinën si i çmendur në mes të rrugës e për pak sa nuk më përplasi nga ana tjetër. Ikëm në shtëpi dhe nëna e tij na pyeti se pse nuk kishim ikur në plazh. Mua më pa shumë të mërzitur, por ky më parapriu dhe i tha që unë nuk ndihesha mirë dhe do të ishte më mirë të qëndroja e shtrirë. Unë u mbylla në dhomën time me çelës dhe mora nënën time në telefon duke qarë sepse kjo ishte diçka që s’e kisha menduar kurrë se mund të më ndodhte. Nëna më tha se po vinte aty dhe më tha të mos dilja fare nga dhoma. M’u betua se do ta bënte të pendohej që më kishte goditur. Erdhi duke gërthitur dhe e ofendoi atë me fjalët më të ndyra që i erdhën në gojë. Ai nuk reagoi fare dhe i tha:

– Ik e merre gocën, po deshe!

– Patjetër që do ta marr… – iu përgjigj nëna dhe më bërtiti edhe mua që të merrja rrobat. Në atë moment, burri im erdhi, mbylli derën me mua brenda dhe më kërcënoi se nëse do të dilja nga ajo derë, do të më merrte gocën kur të lindte dhe do të ma bënte jetën ferr. Dola dhe i thashë nënës të ikte se nuk do të shkoja me atë. Në darkë e bëra të më betohej se do t’i shkëpuste lidhjet me atë gruan andej dhe se do t’i përkushtohej familjes sonë. Këtë gjë ma premtoi, por nuk e mbajti premtimin gjatë. Nuk vonoi dhe vajza erdhi në jetë.

Na lumturoi shumë, edhe pse unë nuk e doja më atë si më parë, vetëm më mbante në atë shtëpi dashuria e vajzës. Unë isha e vrarë shpirtërisht dhe nuk doja as të harroja asgjë. Nuk kishim më as raporte intime bashkë. Një mëngjes ai më tha se do të ikte për ca kohë në Amerikë. Në fakt, për mua ishte sikur po jetoja me një të panjohur që kohë më parë. Jeta ishte monotoni e papërshkrueshme me të. Nuk mund ta besoja se po ia bënte këtë gjë familjes sonë. Nuk besoja se mund të na përçante në këtë mënyrë. Iu përgjërova që të mos ikte, por nuk më dëgjoi. Me sa duket, zgjodhi të mbante premtimin që i kishte bërë asaj që po shkatërron familjen e vet dhe timen. Iku dhe na la të mjera me vjehrrin dhe vjehrrën në shtëpi. Unë vendosa të flijoja jetën time vetëm për gocën që të paktën, derisa të rritet, të mos mësohet me idenë se babai nuk kthehet më te ne. Ai, me siguri, punon dhe takohet me atë. Kushedi si i kalojnë netët bashkë! Këtë as që dua ta mendoj.

Na merr në telefon, na dërgon lekë, por këto gjëra nuk mjaftojnë për të pasur një familje të shëndetshme. Unë po e rris vajzën time e vetme dhe jam krenare për këtë. Nëna e mallkon ditën që nuk u ktheva në shtëpi, por jo, të paktën në këtë mënyrë vajza e di që i ati po punon në Amerikë për ne dhe rritet me atë ide. Nuk di ç`t’ju them tjetër për gjendjen time. Thjesht, është një mllef që ndjej ndaj atij njeriu dhe ndaj asaj të pacipe, që s`mund t`jua përshkruaj as me fjalë. Sa herë që bie të fle, i kërkoj Zotit të na japë atë që meritojmë nga kjo jetë dhe të bëjë që një ditë burrit tim t`i kthehen mendtë në kokë e të kuptojë që familja është primare, sado që ta dojë atë person.

Ja, kështu përfundova unë kur dikur, një qytet i tërë grindej për mua. Unë, që e kisha kokën lart dhe krenohesha sepse asnjë djalë nuk kishte mundur të thoshte as gjysëm fjale, ndërsa si shpërblim, çfarë mora? Mora një njeri mosmirënjohës që për vlerat e mia, as që deshi t’ia dinte. Vetëm një gjë u uroj të gjitha gocave shqiptare, të mos kenë fatin tim dhe të mos gënjehen nga luksi i tepërm sepse jo çdo gjë që shkëlqen, është flori…

https://youtu.be/eZrLmq7lTDs

https://youtu.be/NEf0NjEbTKc

@tn.lajmelokale
@tetovanews