Ballina Aktualitet Dibra, qyteti i Bebe Rexhës dhe Haxhi Maqellarës që po shuhet!

Dibra, qyteti i Bebe Rexhës dhe Haxhi Maqellarës që po shuhet!

Për me pak se dy dekada, numri i nxënësve në Dibër është përgjysmuar. Nëse në vitin 2000, në shkollat fillore në klasë të parë regjistroheshin deri në 400 nxënës, ky numër sot lëviz mes 170 dhe 200 nxënësve. Dibranët thonë se brengos fakti që çdo ditë e më tepër dëgjohet se si familje të tëra, të ballafaquar me gjendjen e rëndë ekonomike, vendosin ta lënë Dibrën, njëherë e përgjithmonë

Omer XHAFERI

Shkup, 14 maj – Emigrimi dal nga dal po e boshatisë Dibrën. I njohur dikur për nga arsimi dhe atdhedashuria, ky qytet dekada me radhë ballafaqohet me sfidën e ikjes së të rinjve. Një situatë e tillë ekziston edhe në ditët e sodit. Nëse me një kohë rrugën e kurbetit e merrnin vetëm kryefamiljarët, viteve të fundit Dibrën po e lënë familje të tëra. Si rezultat i mungesës së perspektivës, papunësisë dhe natalitetit të ulët, në shkollat e Dibrës po shënohet rënie e numrit të nxënësve. Ky trend shqetësues edhe pse është prezent në tërë territorin e Maqedonisë së Veriut, në këtë qytet është më i theksuar, për shkak të numrit të popullsisë që ka.

Ferid Vojnika, ish-këshilltari komunal (1990-2002), njëherësh edhe gjinekologu i parë në Dibër, për gazetën KOHA thotë se politikat diskriminues dhe të gabuara të pushtetit janë shkaktari kryesor për zbrazjen e qytetit. Ai, mes tjerash tha se e brengos fakti se çdo ditë e më tepër po dëgjon se si familje të tëra, të ballafaquar me gjendjen e rëndë ekonomike, vendosin ta lëndë Dibrën, njëherë e përgjithmonë.

PËRGJIGJA TE POLITIKA

“Ku është pushteti në këtë rast, ku janë partitë. Vetëm votat i duan. Nesër edhe pa vota do të ngelin. Faj të madh për këtë çka po ndodh në qytetin tonë kanë edhe politikanët e kësaj ane. Këtë çështje vite më parë e kam diskutuar edhe me ambasadorin e BE-së, Ervan Fuere dhe atë të Amerikës, Xhilian Millovanoviq. Kur ju thash se mirë se keni ardhur në zonën me resurse më të pasura natyrore, por më të vobektën, ata u habitën, nuk më kuptuan. Pra, ju thash se ne, edhe pse i kemi pyjet më të pasura, hidrocentralin më produktiv (Spilenë), minierën më të madhe për gips (Knaufin), banjat më të njohura minerale në rajon, të vërtetuara ndërkombëtarisht, qytetarët tanë vendosin të ikin. E gjithë kjo pasuri nuk mund ta mbajë këtë popull. Përgjigjja duhet kërkuar të politika”, shprehet Vojnika.

“Vetëm verës ke gjallëri këndej, tash është vdekje”, kështu i tha ekipit të gazetës KOHA një qytetar i Dibrës, i cili duke lexuar shtypin ditor, qëndronte nën bustin e “Skënderbeut” mu në sheshin e qytetit. Ndërkohë, mësuesja Vjollca Kërluku, e cila për më tepër se dyzet vite është pjesë e arsimit, tha se vit pas viti, numri i nxënësve po zvogëlohet. Madje, ajo ndau një kujtim i cili lidhej me mbylljen një shkollore fillore.

“Sot është një dhimbje shumë e madhe, gjë që të hysh në secilën klasë, do të shohësh rënie të madhe të numrit të nxënësve… Numri i nxënëse që e kam në klasë është 12. Deri para kësaj gjenerate ishte 27, 28, 23. Mirëpo, tash si vije rënia – është shumë e madhe. Që nga vitit 1978, që nisa punën në një fshat të qyteti të Dibrës, Sollokiq, numri i nxënësve si vinte fillonte të binte. Është një plagë që vërtetë për Dibrën nuk po shërohet. Fshati Sollokiq numëronte 400 nxënës, mirëpo tashmë kjo shkollë është mbyllur krejtësisht”, rrëfen mësuesja Vjollca.

Lehtësimi i marrjes së vizave për punë në vendet e BE-së, sipas drejtorit të shkollës fillore “Penestia”, Ajet Mullarexha, ka ndikuar që viteve të fundi të shtohet numri i nxënësve dhe familjeve të tyre që janë larguar nga Dibra. “Kemi shumë njerëz, prindër që kërkojnë bashkim familjar me fëmijët e vet. Sidomos trendi i rritjes është edhe për Amerikë, ku kanë shumë të afërm dhe atje janë në përfundim të procesit të dokumentacionit, ku pritet edhe disa tjerë të ikin. Numri është në ulje vazhdimisht. Mbase jemi shkolla qendrore e qytetit brenda dhjetë viteve të kaluara ku numri i nxënësve është zvogëluar për 200, gjegjësisht vetëm gjatë këtij viti shkollor janë 20 nxënës. Bëhet fjalë për nxënës që së bashku me familjet e tyre janë shpërngulur drejtë BE-së”, thotë drejtori Mullarexha.

QYTETI I PLEQVE

Lëvizjet e mëdha politike që pritet të bëhen, siç është rasti i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në strukturat e BE-së, dhe hapja e “Rrugës së Arbrit” drejtë Shqipërisë, për shumë dibranë është një shpresë në fund të tunelit se diçka e pozitive mund të reflektoj mbi qytetin e tyre. Përpos qytetarëve, edhe autoritet komunalë në Dibër shpresat për “kthimin” apo qëndrimin e të rinjve në vendin e tyre e shohin në integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Përgjegjësi i arsimit në Komunën e Dibrës, Reshat Qormementi, nuk i mohon arsyet e sipërpërmendura të zvogëlimit të numrit të nxënësve. Por shton se brenda 20 viteve të kaluara, numri i nxënësve në Dibër, për shkaqe të ndryshme, gati është përgjysmuar.

“Çdo pushtet që vjen, çdo mandat që vjen, llogarit në hapjen e vendeve të reja të punës, punësim e të rinjve, familjeve të reja. Por, këto punë shumë ngadalë po shkojnë, me shpresë se po të kalojmë në BE, ndoshta do të hapet perspektiva për shfrytëzimin e resurseve natyrore të qytetit. Në qytet dhe rrethinë mësimin e zhvillojnë rreth dy mijë nxënës në arsimin fillor. Tash në klasë të parë regjistrohet prej 170 deri në 200 nxënës në vjet. Kjo është gjysma e nxënësve nëse e krahasojmë me vitin 2000”, tha për KOHA, Qormemeti.

Ndryshe, qyteti i Dibrës tashmë e një kohë të gjatë njihet si qytet i pleqve, pasi çiftet e reja kryesisht vendosin që familjen ta krijojnë jashtë vendlindjes së tyre. Të dhënat jozyrtare flasin se këtë vit, mbrëmjen e maturës në qytetin e Dibrës do ta festojnë jo më tepër se 100 nxënës. (koha.mk)

@tn.lajmelokale
@tetovanews