Ballina Aktualitet Rrustemi: Mospërfshirja në numërim të mbi 4500 zarfeve të diasporës, padrejtësi ndaj...

Rrustemi: Mospërfshirja në numërim të mbi 4500 zarfeve të diasporës, padrejtësi ndaj bashkatdhetarëve

Adnan Rrustemi, përfaqësuesi i LVV-së në KQZ, ka thënë se procesi i numërimit të votave me postë të ardhura nga jashtë Kosovës ka shkuar mirë.

Ai thotë se procesi i përfshirjes së bashkatdhetarëve në zgjedhje është proces shumë kompleks, ndërsa thekson se duhet thjeshtuar procedura e votimit dhe ajo të bëhet nëpër Ambasada dhe Konsullata nëpër shtete të ndryshme të botës.

Zyrtari i LVV-së shprehu keqardhjen dhe mospajtimin që mbi 4500 zarfe me fletëvotime të ardhura nga jashtë nuk janë pranuar me arsyetimin se kanë ardhur me disa ditë vonesë.

“Mospërfshirja e tyre është padrejtësi ndaj bashkatdhetarëve të regjistruar për të votuar. Ata kanë të drejtë vote, ndërsa konsideroj se u është mohuar kjo e drejtë kushtetuese. KQZ-ja ka pasur edhe hapësirë edhe bazë ligjore që t’i numërojë ato vota si të rregullta”, u shpreh Rrustemi për KTV-në.

Rrustemi tha se numri fillestar i votave me kusht është përafërsisht 26 mijë, por ato vota duhet të verifikohen për t’u parë a janë të rregullta. Ndërsa pas këtij procesi, vjen lista përfundimtare e votave me kusht.

Tetova News në YouTube:

Ai nuk deshi të parashikojë se sa prej këtyre votave mund t’i shkojnë Vetëvendosjes, por tha se në bazë të rezultateve të deritanishme, mund të ndodhë që një numër i konsiderueshëm i votave me kusht do t’i shkojnë partisë fituese.

Rrustemi tha se me numërimin e votave me postë të ardhura nga jashtë Kosovës, nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha dhe tha se rezultatet janë përafërsisht ato që kanë dalë nga KQZ-ja në numërimin preliminar.