Ballina Aktualitet Intervista Intervista / “Në Shqipëri është ndërtuar jo keq, por shumë keq”

Intervista / “Në Shqipëri është ndërtuar jo keq, por shumë keq”

Nga Entela Resuli

Blerta Lipo është inxhiniere ndërtimi. Ajo jeton dhe punon në Itali, ku merret me inspektimin e urave hekurudhore dhe është e specializuar në projektim në zonë sizmike.

Në vitin 2006 Blerta ka shkuar në Romë për të ndjekur studimet në inxhinieri ndërtimi në Universitetin La Sapienza. Më pas ka bërë doktoraturën (në Romë dhe një periudhë të shkurtër në Cambridge) ku është specializuar në studimin e sjelljes së ndërtesave në muraturë në zonat sizmike. Ka punuar më pas në Paris dhe prej pothuajse 3 vitesh punon në Firenze, për hekurudhat italiane, ku merret me inspektimin e urave hekurudhore.

Lipo ka ndjekur me vëmendje gjithë këto ditë situatën e tërmetit në vendin tonë, ku është përfshirë me shqetësimin si gjithë bashkatdhetarët tanë.

Ajo ka biseduar me ne duke ndarë disa mendime si specialiste në lidhje me mënyrën se si është ndërtuar në vendin tonë dhe masat që duhen marr pas tërmetit. Blerta këmbëngul që është e rëndësishme të ketë një inspektim të ndërtesave që ndodhen në zonat e prekura nga eventi sizmik dhe pasgoditjet.

Më poshtë intervista në Dita më inxhinieren, Blerta Lipo.

-Si e konsideroni gjendjen e krijuar nga rënia e tërmetit në Shqipëri?

Lajmi i tërmetit më ka tronditur shumë, si gjithë shqiptarët besoj, duke patur parasysh edhe faktin që familja dhe të dashurit e mi jetojnë akoma në Shqipëri. Informohem vazhdimisht nëpërmjet gazetave të ndryshme por nuk kam pasur akoma mundësinë të vizitoj personalisht gjendjen.

-Blerta, ju jeni inxhiniere ndërtimi, çfarë mendoni se e ka shkaktuar rrëzimin e disa ndërtimeve në zonën e Durrësit, ndërkohë shumë pranë tyre, ndërtime të tjera janë në këmbë?

Me sa kam parë dhe lexuar, ndërtesat që janë rrëzuar mund të klasifikohen në dy grupe: ndërtesa para ‘90, të ndërtuara me punë vullnetare dhe ndërtesa pas ‘90, në beton arme. Për të dyja grupet, rrëzimi është shkaktuar nga mos zbatimi i detajeve konstruktive, të domosdoshme për të garantuar jetëgjatësinë në zona sizmike.

-Çfarë duhet të kemi parasysh kur ndërtojmë?

Për sa i përket anës strukturore, metodat e tanishme të projektimit në zona sizmike bazohen në metodën e capacity design, ose hierarkia e rezistencave: kjo metodë përcakton, në bazë të llojit të strukturës, se cili është elementi që do “sakrifikohet” në momentin e eventit. Është e qartë që në një ndërtesë në beton arme, nuk mund të sakrifikohen kolonat sepse pasojat do ishin katastrofike. Pra projektimi duhet të jetë i tillë që në rastin më të keq, të kem deformimin e trarëve dhe jo rrëzimin e kolonave. Nga ana tjetër pastaj duhet pasur parasysh terreni ku do vendosen themelet e ndërtesës.

-Zona ku ka patur dëmtime në banesa, por edhe shembje, shumë vite më parë ka qenë kënetë, a duhet ndërtuar aty?

Terreni ku vendoset ndërtesa është aspekti i dytë kryesor për shëndetin dhe jetëgjatësinë e saj. Çdo projekt duhet të bazohet në studimin e terrenit për të zgjedhur tipin më të përshtatshëm të themeleve dhe thellësinë e tyre. Terrenet me karakteristika të dobëta, në raste ekstreme kënetat, janë në gjendje të amplifikojnë në mënyrë serioze akselerimin e valës sizmike.

-Ndërkohë një zonë më shumë ndërtesa të dëmtuara është edhe Golemi, ku shumë ndërtime janë afër e afër dhe për më tepër, me shtesa në kate…

Në kushtet e projektimit në zone sizmike janë të përcaktuar edhe distancat minimale midis ndërtesave në mënyrë që gjatë vibrimit mos ketë përplasje midis kateve të sipërm. Normalisht këto rregulla nuk janë zbatuar. Për sa i përket kateve të shtuara në mënyrë abuzive, të gjithë jemi në gjendje të themi që është një veprim i gabuar.

-Ndërkohë goditjet po vazhdojnë, sa i dëmtohen ndërtesat që janë në këmbë nga këto pas goditje?

Ky është aspekti me delikat i këtij eventi. Pa dyshim që efekti i pas-goditjeve te ndërtesat ekzistuese duhet matur me kujdes, sidomos kur këto pas-goditje kane magnituda të rëndësishme, siç është rasti i këtij tërmeti.

-Si mund ta dallojmë nëse ndërtesa paraqet rrezikshmëri për banimi apo jo?

Orët pas tërmetit janë thelbësore për të përcaktuar në mënyrë të shpejtë, por edhe të saktë, nqs një ndërtesë vazhdon të jetë e banueshme apo jo. Banueshmëria përcakton kufirin midis qetësisë së kthimit në shtëpi apo fjetjes në makinë; midis qëndrueshmërisë së funksioneve të administratës dhe gjithë shërbimeve dhe ngadalësimit të veprimtarive të një konteksti shoqëror të tërë dhe kompleks. Unë kam patur mundësinë të marr pjesë në përcaktimin e banueshmërisë së ndërtesave pas tërmetit të Amatrice-s (Lazio, Itali). Në Itali, duke pasur parasysh edhe eventet sizmike të viteve të fundit, departamenti i mbrojtjes civile ka përpiluar disa skeda, në ndihmë të profesionisteve të fushës, që shërbejnë për konstatimin e dëmit, ndërhyrjen e shpejtë dhe përcaktimin e banueshmërisë pas eventit sizmik.

-Cilat janë masat që duhen marrë tashmë dhe si duhet të menaxhohet situata me pallatet që janë të dëmtuara?

Fatkeqësisht, historia jonë deri me sot vë në dukje mungesën totale të interesit ndaj mirëmbajtjes dhe lulëzimin e ndërtimeve pa kritere, qoftë nga ana urbanistike, territoriale por fatkeqësisht edhe ajo strukturore. Ka ardhur momenti t’i drejtojmë vëmendjen teknikave moderne të mirëmbajtjes (retrofitting) ose, në rastet më të pashpresë, rindërtimit. Duhet organizuar një fushatë inspektimesh ku grupe profesionistësh duhet të përcaktojnë, për të gjitha zonat e prekura nga tërmeti, dëmet që kanë pësuar strukturat dhe a janë ato të rikuperueshme.

-Si mund të klasifikohen këto dëme dhe si duhet të veprohet për secilin rast?

Për sa i përket metodës së shpejtë që përdoret nga departamenti i mbrojtjes civile në Itali, dëmet ndahen në 6 nivele: nga 0 në 5, ku ne nivelin 0 struktura nuk ka pësuar asnjë dëmtim ndërsa në nivel 5 struktura është rrezuar plotësisht ose pjesërisht. Për sa i përket strukturave në muraturë, niveli 0 është baraz me krisje vetëm sipërfaqësore (psh në suva), në nivel 1 krisjet kanë hapje maksimale 1 mm dhe mund të shfaqen për shembull në fashot murare (pjesa mbi/nën dyer/dritare) dhe përgjithësisht nuk sjellin pasoja, njëherë që ka pushuar eventi sizmik. Kur hapja e këtyre krisjeve arrin 1-1.5 cm dhe intereson një pjesë më të gjerë të ndërtesës, jemi në nivelin e dëmtimit mesatar (2-3). Në këtë rast, përcaktimi i riskut të strukturës në eventin e ardhshëm sizmik varet nga kuadri i përgjithshëm fesurativ. Në rast se çarjet janë më të mëdha se ato të sipërpërmendura, jemi në nivelet e dëmit të madh (4-5) dhe struktura ka rrezik të ketë një kolaps parcial ose total edhe nga një lëkundje fare e vogël.

-Një nga urat në Durrës, Ura e Shkozetit e ndërtuar vitet e fundit, ka patur dëmtime në trarët mbajtës dhe për pasoj është ndaluar kalimi në të. Pse mendoni që ky tërmet ka shkaktuar edhe dëmtimin e urë dhe çfarë duhet bërë me të?

Për sa i përket mbikalimit të Shkozetit, është e vështirë të flitet pa patur një imazh të qartë të kuadrit fesurativ në kompleks. Me çfarë kam parë në internet, ka dëmtime të seismic restraints (ritegni sismici) të kolonave. Këto janë pjesë “të sakrifikueshme” përballë një eventi sizmik sepse e kanë kryer detyrën e tyre për të mbajtur në bosht impalkatin e urës. Normalisht këto pjesë duhen rikonstruktuar, por reagimi që ato kanë pasur është sinjal i faktit që janë nën-dimensionuar në fazë projektimi, dmth nuk janë projektuar për një tërmet të kësaj magnitude.

-Blerta, sipas vëzhgimit tuaj, a është ndërtuar keq në Shqipëri, sidomos në këto zona, Tiranë, Durrës…?

Nga ana urbanistike çdo njeri është në gjendje të thotë që në Shqipëri është ndërtuar jo keq, por shumë keq. Fatkeqësisht, zbuluam në lëkurën tonë, që, në disa raste, qenka ndërtuar keq edhe nga ana strukturore. Ajo që unë mund të them është që Shqipëria ka nevojë për redaktimin dhe zbatimin në mënyrë rigoroze të një kodi kombëtar të projektimit. Ky kod duhet të përcaktojë detajet kostruktive që strukturat duhet të kenë dhe të bazohet në një mikrozonim sizmik të përditësuar për përcaktimin e spektrave elastike. Tërmetet nuk duhet të shihen më si mallkime qiellore nga të cilët s’mund të shpëtohet por si fenomene natyrore në territorin e Shqipërisë prej të cilave duhet të mbrohemi nëpërmjet parandalimit dhe mirëmbajtjes.

@tn.lajmelokale
@tetovanews