Ballina Aktualitet Shqipëri “Në bregdetin e Durrësit nuk duhej ndërtuar, çfarë ndodh me godinat atje”...

“Në bregdetin e Durrësit nuk duhej ndërtuar, çfarë ndodh me godinat atje” – Profesoresha e ndërtimit

Profesoresha e njohur e inxhinierisë së ndërtimit, Luljeta Bozo, ka shpjeguar situatën pas tërmeteve në Thumanë e Durrës, duke u ndalur më së shumti te zona e Durrësit.

Në një intervistë për ‘News24’, Bozo, tha se ndërtimet në breg të detit nuk duheshin lejuar sidomos në zonën nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem duke shpjeguar atë që ndodh.

‘Rëra e plazhit të Durrësit ka një problem dhe prandaj nuk është ndërtuar për vite e vite me radhë e para ‘90-ës kishte shumë pak ndërtime. Ato kanë një karakteristikë. Kanë probleme me bazamentin dhe Durrësi preket shumë, është shkatërruar tre herë nga tërmetet. Bazamentet në Durrës janë problematike pasi sa të gërmosh del ujë dhe në rast tërmetesh ato prishin strukturën, dheu kthehet në masë viskoze në atë që njihet si lëngëzim. Ky studim është bërë pas tërmetit të vitit 1979.’ Çarja tektonike që fillon nga Mali i Zi e përfundon në Greqi ka në vijën e saj Shkodrën, Durrësin e Vlorën. Nga Shkëmbi i Kavajës e deri në Golem, rëra ka aftësinë të lëngëzohet nga 1.5 deri në 2.5 metra. Në breg të detit nuk ndërtohet, për më tepër siç kanë ndërtuar këta godina mbi 6 apo 7 kate. Edhe nëse ato kanë themele të forta poshtë zonës së lëngëzimit, erozioni mund të shkatërrojë strukturën e poshtme duke i nxjerrë jashtë përdorimit.’ – tha Bozo.

Më tej ajo bëri thirrje që qeveria të nisë menjëherë vlerësimin e godinave të dëmtuara për të vendosur se çfarë do ndodhë me to.

‘Qeveria duhet të mbledhë menjëherë ekipet që duhet të nisin vlerësimet e godinave, dëmin e tyre dhe të përcaktojnë ndërhyrjet që duhen bërë.’ – shtoi profesoresha.

@tn.lajmelokale
@tetovanews