Ballina Aktualitet BDI me lajme të rreme e bëri objekt talljeje kryetarin e saj!...

BDI me lajme të rreme e bëri objekt talljeje kryetarin e saj! (VIDEO)

Editorial nga Agjencia e lajmeve “Zhurnal.mk”

Shkup, 2 mars – Bashkimi Demokratik për Integrim nëpërmjet portaleve të afërta të kësaj partie ka filluar të bëjë fushatë për zgjedhjet e ardhshme, por fatkeqësisht duke përdorur lajme të vjetërsuara dhe me tendencë.

Fatkeqësisht, fushata ka filluar mbrapshtë dhe mënyra e zgjedhur se s’i të fitohen pikë politike është amatoreske dhe dashakeqe.

Në mënyrë më bombastike në opinion u plasua lajmi se kryeministri Edi Rama gjatë kongresit të Partisë Socialiste u ka dërguar “selam maqedonasve se pa shqiptarët s’ka NATO dhe BE, e për këtë ka falënderuar Ali Ahmetin”.

Në shikim të parë ky lajm të bën të mendosh se çfarë i duhej Edi Ramës ta përmendte Ali Ahmetin në Kongresin e partisë së tij! Por, thotë populli “gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra” e nëse analizohet video ku flet Rama, duket qartë se ai për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka folur pikërisht një vit më parë, më 1 mars 2019 në Samitin e Diasporës.

Në formë të njëjtë u manipulua edhe me lajmin se kryetari i shoqatës së “Jetimave të Ballkanit”, bamirësi Halil Kastrati, është takuar më 1 mars me Ali Ahmetin në selinë e BDI-së në Tetovë, e kjo u bë publike edhe në versionin zyrtar të Ahmeti në Facebook.

Edhe kjo një gënjeshtër e kulluar, pasi në Facebook-in e tij, Kastrati publikoi foto se gjendet në Londër për aktivitete bamirësie.

“Zoti ju shpërbleftë! Shqiptarët e Londrës na nderuan sot duke bërë një organizim të mrekullueshëm në të cilin u mblodhën 160 mijë euro ndihmë për Jetimat e Ballkanit. Diaspora po vazhdon të dëshmojë se është zemra e madhe e kombit tonë…”, ka shkruar Kastrati më 29 shkurt, ndërsa më 2 mars ka publikuar foto të tjera nga takimi në Londër, duke e bërë të qartë se gjendet në Angli dhe jo në zyrat e BDI-së.

Është fakt që Kastrati është takuar në zyrat e BDI-së me kryetarin Ali Ahmeti, por takimi mund të kishte qenë në vitin e kaluar, kur në dhjetor të vitit 2019 Ahmeti nëpërmjet mediave falënderoi dhe lavdëroi lartë punën e bëmirësit Kastrati.

“Jetimave të Ballkanit”, bamirësi Halil Kastrati

Por, çfar në të vërtetë fshihet pas këtyre dy lajmeve!

Nëpërmjet këtyre dy lajmeve të rreme, nga shtabi zgjedhor i BDI-së mundohen të tërheqin vëmendejn e popullit shqiptarë, e në këtë mënyrë e shpërndajnë lajmin nëpër rrjete sociale dhe nëpër aktivistë partiakë, duke komentuar se si Shqipëria zyrtare e mbështet Ahmetin dhe si bamirësi i madh shqiptarë takohet me Ahmetin pasi e vlerëson veprën dhe punën e  tij.

Kjo mënyrë e ulët e bërjes fushatë me dy figura që kanë peshë te qytetarët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut është qesharake.

Njëherësh tregon se brenda BDI-së ekziston frikë nga dështimi i mundshëm dhe në këtë formë mundohet që me manipulime e gënjeshtra të mashtrohet me popullin. Megjithatë kjo dukuri është joprofesionale dhe e rrezikshme për një parti që synon se është serioze.

Nëse dikush brenda grupit që bën marketingun në BDI mendon se populli gënjehet aq lehtë, është tepër naivitet. Në këtë formë duke dashur ta lavdërojë deri në qiell kryetarin e partisë, Ali Ahmetin, ata e turpërojnë atë dhe e bëjnë element për humor.

Aq më shumë, naivitet treguan disa media që bien në grackë të çdo lajmi që del në internet e që është me porosi të partisë. Mediat gjatë fushatës zgjedhore duhet të tregohen të balancuara në informim por mbi të gjitha edhe të vëmendshme se çfarë publikojnë, pasi t’i publikosh video të Edi Ramës e cila është thënë para një viti, në prag të fushatës zgjedhore  në Maqedoninë e Veriut, është më shumë se keqpërdorim i profesionit të gazetarit.

Radiodifuzorët dhe mediat e shkruara, që nga shpallja e zgjedhjeve monitorohen nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuele. Me fillimin e fushatës zgjedhore vlejnë rregulla të caktuara ligjore të cilat duhet të zbatohen. Përveç Kodit etik të gazetarëve të cilin duhet ta respektojnë në çdo kohë dhe në çdo rast, në këtë periudhë mediat duhet t’i qasen edhe Kodit Zgjedhor.

@tn.lajmelokale
@tetovanews