Ballina Aktualitet Bashkimi Demokratik për Integrim përgatitet për në opozitë, Zaev do ta formojë...

Bashkimi Demokratik për Integrim përgatitet për në opozitë, Zaev do ta formojë qeverinë pas Ilindenit, në lojë mund të futen deputetë nga partitë më të vogla

Ndërsa funksionarë të lartë të Bashkimit Demokratik për Integrim nuk hiqen nga ekranet e televizioneve dhe japin deklarata për mediat e vendit dhe të huaja se rruga për formimin e qeverisë së re kalon përmes Reçicës së Vogël, në fshehtësi po përgatitet shumica e re parlamentare. Burime nga koalicioni “Mundemi” për “Slloboden Peçat” thonë se ata do ta formojnë qeverinë e re që do të udhëhiqet nga lideri i LSDM+së, Zoran Zaev, transmeton Tetova News.

Se udhëheqja e LSDM-së është në pushime e konfirmon edhe lideri i Grom, Stevço Jakimovski, i cili në këto zgjedhje fitoi një deputet në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPME. Ai në paraqitjet e tij në media thotë se përfaqësuesit e partisë së Zaevit tashmë kanë kontaktuar me një pjesë të deputetëve të zgjedhur nga partitë më të vogla. Jakimovski i hedh poshtë deklaratat nga partia e Ahmetit se Bashkimi Demokratik për Integrim do të vendos se kush do të futet në qeverinë e re.

– Nëse rruga të çon drejt Reçicës ë Vogël, atëherë pse këto telefonata te deputetët e partive më të vogla politike. Dy deputetë prej kudoqofshin, në anën tjetër formojnë qeverinë.Nuk është vetëm Reçica e Vogël. Ka shumë qendra. Mua nuk më janë paraqitur, po dëgjoj se të tjerëve u janë lajmëruar – thotë Jakimovski.

Zyrtari i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim, Bujar Osmani nuk heq dorë nga thirrjet e hapura për përkrahje nga ASH. Porosia më e re për ata është që ta tejkalojnë mllefin për rezultatet zgjedhore.

– Ejani të bëhemi bashkë dhe të zgjedhim kryeministrin e parë shqiptar. Mos e lëshoni këtë mundësi, mos rini në anën e gabuar të historisë. Shqiptarët e presin këtë nga ju dhe nga ne, thotë Osmani.

Njohësit e bllokut politik shqiptar thonë se pas këtyre thirrjeve të përditshme, Bashkimi Demokratik për Integrim fsheh frikën se më në fund ka ardhur koha që të shkojë në opozitë.

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në takimin e sotëm me ambasadorin slloven në Shkup, Milan Jazbek deklaroi se partia e tij është një partner i qëndrueshëm dhe serioz, i gatshëm të vazhdojë të kontribuojë në mënyrë konstruktive për vendin.

Analisti politik Petar Arsovski i tha “Sloboden Peçat” se ashtu si refuzimi i një kryeministri shqiptar i solli vota Bashkimit Demokratik për Integrim gjatë fushatës, tani insistimi i tyre për një kryeministër shqiptar mund t’i izolojë ata në skenën politike.

– Prandaj, strategjia kryesore e Bashkimit Demokratik për Integrim në këtë periudhë është që të bashkojë të gjitha partitë shqiptare rreth idesë së saj, sepse në këtë mënyrë ajo dëshiron të shkaktojë sa më shumë mosmarrëveshje mes partive të tjera që ajo të mbetet e vetmja zgjidhje e koalicionit. Në këtë kombinim, është më lehtë që ta fillojë me Selën, për shkak se Besa është më e vogël dhe në koalicion me LSDM-në, kurse PDSH dhe Thaçi kanë vetëm një deputet. Prandaj është e logjikshme që këtë platformë ta sinkronizojnë me Selën, thotë Arsovski.

Nga Aleanca për Shqiptarët mbrëmë deklaruan se është një mision i pamundur që Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca të jenë në të njëjtin vend, transmeton Tetova News.

Lideri i LSDM+së, Zoran Zaev, sot në një intervistë për A1 tha se procesi i negociatave për formimin e një qeverie të re do të fillojë menjëherë pas festës së Ilindenit. Numrat janë të qartë, tha Zaev. LSDM dhe koalicioni “Mundemi” në këto zgjedhje ka siguruar më së shumti mandate deputetësh dhe është e qartë se kush e ka mandatin për formimin e qeverisë.

– LSDM është një parti e madhe, bujare dhe e hapur dhe ne do të diskutojmë për koalicion me të gjitha partitë që janë të gatshme të pranojnë konceptin evropian, demokratik dhe rrugën që Maqedonia e Veriut e merr si anëtare e NATO-s. Strukturat që proklamojnë ide që nuk përkojnë me konceptin demokratik dhe evropian nuk i përkassin koalicionit të ardhshëm qeveriës të udhëhequr nga LSDM, sepse opcione të tilla konfliktuale dhe retrograde ose janë mposhtur, ose janë margjinale – thotë Zaev. Marrë nga “Slloboden Peçat”, përgatiti Tetova News

@tn.lajmelokale
@tetovanews