Ballina Aktualitet Mickoski: Ideja e BDI-së për kryeministër shqiptar, për mobilizim të brendshëm partiak...

Mickoski: Ideja e BDI-së për kryeministër shqiptar, për mobilizim të brendshëm partiak (VIDEO)

Lideri i partisë maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se ideja për kryeministër shqiptar, që është iniciuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, më shumë është për mobilizim të brendshëm të kësaj partie, sasa që do të paraqitet si kusht për koalicion pas zgjedhjeve. Mickoski thotë se për partnerë në qeverinë e ardhshme, nëse partia e tij do të fitojë zgjedhjet, do të zgjedhë atë parti shqiptare, me të cilat i përputhen programet qeverisëse.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Mickoski për ju është e pranueshme ideja e partisë shqiptare në pushtet Bashkimit Demokratik për Integrim, që qeveria e ardhshme të drejtohet nga një kryeministër shqiptar?

Hristijan Mickoski: E përshëndes parimin për kandidatin për kryeministër, pasi ky parim është promovuar nga ana e VMRO-DPMNE-së, por nuk mund të përshëndes atributin etnik, pasi që përkatësia etnike nuk është edhe përkatësi profesionale. Kryeministër, kryetar i qeverisë bëhesh në terren, përkatësisht e fiton ose nuk e fiton besimin e shumicës së qytetarëve. Kështu që, me shumë rëndësi është të funksionojmë mbi bazë të këtyre parimeve për shkak se këto parime nëse nuk respektohen, atëherë do të këtë shumë modifikime dhe këto modifikime do të shkaktojnë probleme në funksionimin e secilës qeveri. Nuk flas këtu vetëm për qeverinë që do ta udhëheqë VMRO-DPMNE-ja.

E inkurajoj Bashkimin Demokratik për Integrim dhe partitë e tjera politike të cilat në të ardhmen do ta pranojnë zotimin për kandidat, për mandatar (shqiptar), le të bëjnë program politik me të cilin do të dalin dhe do të marrin besimin e qytetarëve pavarësisht përkatësisë etnike, por përmes projekteve kualitative, vizionit, bindjeve e kështu me radhë.

Kështu që vlerësoj se kjo bëhet për një lloj mobilizimi të brendshëm sesa për atë që nesër do të paraqet kusht për koalicionin, pasi mandatar për qeverinë e ardhshme do të jetë ai i cili do të sigurojë numrin më të madh të votave të qytetarëve që do të dalin për të votuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Radio Evropa e Lirë: Nëse partia juaj del fituese në zgjedhjet e 15 korrikut, do të bëni koalicion me partinë shqiptare e cila do të dalë fituese në zgjedhje mbi bazë të parimit fituesi me fituesin?

Hristijan Mickoski: Te ne, parimi për koalicion do të jetë mbi bazë të programit. Në këtë askush nuk duhet të ketë dilema sepse në një qeveri në të cilën do të ketë më shumë partnerë ose dy, është e nevojshme që ata të kuptohen dhe të kenë sinergji në nivel të programeve sepse qeveria funksionon mbi bazë të programit që miratohet dhe më pas realizohet ai program.

Unë vlerësoj se ka hapësirë të madhe që të arrijmë një marrëveshje serioze me ndonjë partnerë qeverisës nga ana e partive politike shqiptare, që të bëjmë një program të mirë qeveritar i cili do të bazohet në konsensusin e përbashkët të dy programeve tona të përbashkëta dhe më pas, ajo që është më e rëndësishmja mbetet realizimi i asaj marrëveshjeje.

Ju mundeni që në aspektin deklarativ të arrini marrëveshje, të formoni një qeveri, por nëse ngec realizimi i asaj marrëveshjeje që e keni premtuar para elektoratit, në atë rast çfarë të duhet ajo marrëveshje apo ai koalicion. Ne dëshirojmë të jemi më ndryshe dhe të dëshmojmë se mundet edhe ndryshe, ky është qëllimi ynë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Mickoski thoni se programi është më gjëja më e rëndësishme. Ndërkohë që të gjitha anketat tregojnë se shqiptarët nuk e shohin veten në këtë program që ofron partia juaj sepse pothuajse është zero numri i shqiptareve që do votonin VMRO-DPMNE-në edhe me ardhjen tuaj në krye të partisë?

Hristijan Mickoski: Ja kjo është një mundësi që ai besim të kthehet dhe ai besim më tej të betonohet dhe të vazhdojë edhe në ciklet e tjera zgjedhore.

Radio Evropa e Lirë: Premtoni integrim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në fushatë, ndryshimin e emrit të shtetit e përdorni në kontekst negativ – me kurriz të përkulur, e të ngjashëm. Si mendoni ta çoni Maqedoninë, e jo Maqedoninë e Veriut, në Bashkimin Evropian?

Hristijan Mickoski: Jo, shikoni, ne fillimisht e përdorim formën thirrore nga emri Maqedoni (o Maqedoni), kjo për shkak se duam të tregojmë një lloj krenarie për shkak se qëndrimi ynë i lidhur me maqedonizmën tonë, me atë që ne jemi maqedonas që vijmë nga Maqedonia, është qëndrim i njohur dhe shumë herë i artikuluar në publik; këtë e kemi thënë në qindra intervista dhe këtu nuk kam çfarë të shtoj e as çfarë të heq.

Njëkohësisht, e kemi thënë se jemi kundër kapitullimit që e solli Zoran Zaev me nënshkrimin e Marrëveshjes së Prespës dhe, njëkohësisht, kemi thënë se nuk do ta injorojmë realitetin, por njëkohësisht kemi thënë se kurrë nuk do të lejojmë që të shuhet zjarri maqedonas – përderisa ekziston VMRO-DPMNE, ne do të luftojmë për maqedonasit, për Maqedoninë dhe për gjithçka që është e lidhur me mbiemrin maqedonas.

@tn.lajmelokale
@tetovanews