Ballina Aktualitet Vjosa Osmani nga Tetova: Faktori shqiptar luan rol pozitiv në rajon për...

Vjosa Osmani nga Tetova: Faktori shqiptar luan rol pozitiv në rajon për paqen dhe rrugëtimin euro-atlantik (VIDEO+FOTO)

Ndihem si në shtëpi, tani me çelësin e qytetit na keni nderuar edhe më shumë dhe keni konfirmuar se me Tetovën do të mbesim shumë të afërt çdoherë, do të gjejmë gjithnjë mënyra të reja për të bashkëpunuar, do të realizojmë projekte të reja. Kështu tha mes tjerash presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu nga vizita e saj e sotme në Tetovë e cila u mirëprit me aktivitete të ndryshme, ku mes tjerash kreu i Tetovës i dhuroi edhe çelësin e qytetit, shkruan Portalb.mk.

Presidentja theksoi se nga Tetova kanë nisur shumë procese me rëndësi historike për popullim shqiptar, jo vetëm këtu në Maqedoninë të Veriut, por gjithandej.

“Kjo vizitë e imja në Maqedoninë e Veriut zhvillohet për të rikonfirmuar raportet e shkëlqyeshme që janë ndërtuar ndërmjet dy shteteve tona, por në të njëjtën kohë për të rikonfirmuar rolin shumë produktiv dhe kyç që kanë luajtur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në shtet formim, shtet ndërtim dhe në rrugëtimin euroatlantik të këtij shteti”, tha Osmani.

Ajo theksoi se Kosova gjithnjë do të mbetet mirënjohëse për ndihmën dhe përkrahjen e pakusht që shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe në veçanti shqiptarët e Tetovës i kanë dhënë Kosovës në kohët më të errëta për ata.

“Ne do të sigurohemi që ndërmjet kontributit dhe bashkëpunimit ndërmjet komunave, siç është Komuna e Tetovës me shumë komuna të Kosovës, të prekim drejtpërsëdrejti jetën e qytetarëve, të merremi me hallet e tyre të përditshme, të zgjidhim problemet e tyre, sepse komunat vërtetë mund të mësojnë shumë nga njëra tjetra. Çka do që mund të bëjmë ne si Republikë e Kosovës për të ndihmuar në këtë drejtim, do ta bëjmë. Do të vazhdojmë ta ngrijmë zërin që shqiptarët të arrijnë lartë e më lartë, që të drejtat e tyre vetëm të avancohen edhe këtu në Maqedoni në Veriut, çdo kund ku jetojnë ata. Këtu duhet të bashkëpunojmë që të gjithë, sepse faktori shqiptar ka luajtur rol pozitiv në drejtimin e gjithë rajonit drejt paqes, stabilitetit dhe rrugëtimit euro-atlantik”, tha presidentja Osmani.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se Tetova ishte e nderuar që për herë të parë në komunë ishte një presidente e Republikës së Kosovës.

“Për ne, për Tetovën dhe tetovarët, Kosova dhe shqiptarët e Kosovës kanë pasur një vend të veçantë dhe do të vazhdojnë të kenë vend të veçantë në lidhjet tona që i kemi pasur historikisht. Tetova si kryeqendra e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka qenë ajo pika e bashkimit të shqiptarëve në Kosovë dhe Maqedoni edhe në Jugosllavi”, tha Kasami.

Ai theksoi se pas vizitës së kryeparlamentarit të Kosovës, vizitës së kryeministrit, sot u përmbyll vizita e përfaqësuesve më të lartë të Kosovës në Tetovë.

“Çka tregon edhe vlerësimin që e bëjnë institucionet më të larta të Republikës së Kosovës për Tetovën, tetovarët dhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut”, tha Kasami.

@tetovanews Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në Tetovë – 27 prill 2023 #tetova #kosova #kosovë #tetovë #vjosaosmani #president ♬ original sound – Tetova News

Kasami mes tjerash theksoi se si komunë do vazhdojnë t’i kultivojmë afër lidhjet me komunat e Republikës së Kosovës. Ndërkaq përmendi se Komuna e Tetovës po punon aktivisht që rruga Tetovë-Prizren sa më shpejtë të jetësohet.

Përndryshe, presidentja përveç Komunës së Tetovës, vizitoi edhe shkollën fillore “Liria”, sheshin e qytetit si dhe Xhaminë e Larme (Pashës), ku u mirëprit me aktivitete të ndryshme nga qytetarët.

Për shkak të kësaj vizite, në komunikacion pati kufizim të qarkullimit.

Përndryshe, dje presidentja e Kosovës në kuadër të vizitës së saj realizoi takime me presidentin e vendit, kryeministrin, kryetarin e Kuvendit si dhe krerët e disa prej partive politike në vend. Osmani madje pati edhe fjalim në foltoren e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut. Ajo çfarë u theksua nga këto takime ishte se Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm bilateral dhe ky trend duhet të vazhdojë, me theks të veçantë në rrugën drejt integrimeve evropiane.

@tn.lajmelokale
@tetovanews