Ballina Aktualitet Çfarë po ndodh me hetimet për Banjskën, Prokuroria Speciale “e mbyllur”

Çfarë po ndodh me hetimet për Banjskën, Prokuroria Speciale “e mbyllur”

Këtë të diele, bëhen fiks tre muaj nga sulmi terrorist ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit. Hetimet për këtë rast po vazhdojnë. Nga Prokuroria Speciale s’kanë pranuar të tregojnë se sa mund të zgjasin dhe se kush po heton tjetër përveç Kosovës dhe se cilat janë gjetjet e deritashme, duke u thirrur në ndjeshmërinë e rastit.

Gazeta Express

Ngjarjet që ndodhën më 24 shtator në Bansjkë, vazhdojnë të mbesin mister. Prokuroria Speciale vazhdon të jetë e mbyllur sa i përket hetimeve që po zhvillon rreth sulmit terrorist që u krye atë mëngjes, ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.

Gazeta Express ka pyetur prokurorinë rreth rrjedhës së këtyre hetimeve dhe se kush tjetër po e heton rastin, por nga ky institucion s’kanë pranuar të përgjigjen.

“Ju njoftojmë se në këtë fazë të hetimeve nuk mund të japim asnjë të dhënë, për shkak të ndjeshmërisë së rastit.  Andaj, kërkojmë mirëkuptim nga Ju!”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu.

Krerët e shtetit disa herë kanë lëshuar deklarata, përmes të cilave kanë lënë të nënkuptojnë se për ngjarjet që ndodhën në Banjskë, po kryhen edhe hetime ndërkombëtare. Madje, Kryediplomatja Donika Gërvalla, kishte thënë se janë në pritje të hetimeve që po kryhen nga Bashkimi Evropian, por nga BE s’kanë konfirmuar asnjëherë diçka të tillë.

Sipas burimeve të Gazetës Express, nga Brukseli i besojnë Policisë së Kosovës për këtë hetim dhe se nuk janë duke zhvilluar hetime paralele.

“Jemi në pritje të deklarohet për atë çka ka ndodhur në 24 shtator. Ende jemi në pritje dhe ende përgjigja që dëgjojmë është që ende nuk kemi përfunduar hetimet. Mendoj që do të duhet të ishin përfunduar kohë më parë, sepse dëshmitë janë shumë të qarta rreth asaj çfarë ka ndodhur më 24 shtator në Kosovë, akti i 24 shtatorit është kryer me metoda terroriste, por ka qenë një akt i hapur që ka tentuar të aneksojë, pra, të pushtojë territor të Kosovës dhe presim një gjuhë shumë të qartë nga Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare të Bashkimit Evropian se përndryshe besimi për të negociuar  me Serbinë është dobësuar shumë”, ka deklaruar Gërvalla.

Një raport preliminar të shtetit lidhur me këtë ngjarje veçse e kanë pranuar nga BE. Në këtë raport 50 faqësh të Ministrisë së Punëve të Jashtme renditen “dëshmi të mbledhura dhe të vlerësuara nga institucionet e zbatimit të ligjit të Kosovës” se Serbia qëndron mbrapa aktit terrorist ndaj Policisë së Kosovës.

Edhe deputetja britanike, Alicia Kearns, kishte thënë se një shtet i jashtëm është duke kryer hetime për sulmin. Kearns nuk kishte pranuar të tregojë se për cilin shtet bëhet fjalë.

“Me sa kam kuptuar njëra prej shteteve të jashtme është duke bërë vetë hetim dhe kjo do të bëhet publike, dhe natyrisht Qeveria e Kosovës është duke e zhvilluar hetimin e vet po ashtu. Qeveria e Kosovës do të shohë drejtësi, do t’i shohë njerëzit në gjyq, si dhe ata që e kanë mbijetuar sulmin, ata që kanë humbur por edhe ata që kanë qenë dëshmitarë e meritojnë ditën në gjyq ku Millan (Radoiçiq)  duhet me qenë aty në gjyq duke dhënë llogari”.

“Nuk jam e sigurtë a është kjo e ditur publike kështu që do të përmbahem prej komentimeve të mëtutjeshme lidhur me këtë”, kishte thënë Kearns.

Se ky rast po hetohet edhe nga ndërkombëtarët, kishin deklaruar edhe nga Presidenca.

Deklarata e Presidencës ishte mbështetur më pas edhe nga Kryeparlamentari Glauk Konjufca. Në një deklaratë për T7, Konjufca kishte thënë se secili shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-s është duke i bërë hetimet e tyre, derisa kishte shtuar se NATO dhe EULEX do të dalin me raporte përfundimtare.

“Ende hetimet nuk kanë përfunduar. Secili shtet anëtar i BE-së dhe i NATO-s është duke i bërë hetimet e tyre edhe nacionale. Pra, Republika e Kosovës do ta ketë një hetim përfundimtar, NATO-ja do të dalë me një raport përfundimtar, EULEX-i, misioni i Bashkimit Europian del me raportin e vetë të pavarur, shtetet nacionale, secili është duke i bërë hetimet e veta. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania me institucionet e tyre që i kanë në Kosovë, secili edhe në baza nacionale është duke i bërë hetimet e veta”, tha kryeparlamentari.

Duke përmendur shtetet që po e hetojnë sulmin në Banjskë, Konjufca e kishte përmendur edhe Gjermaninë. Por, nga Qeveria e Gjermanisë kishin deklaruar se nuk janë të angazhuar lidhur me këtë çështje.

“Nuk ka asnjë hetim që është duke u zhvilluar nga ana jonë”, kishte theksuar një zëdhënës i Qeverisë Gjermane për Gazetën Express.

Edhe nga NATO, të pyetur nëse po kryejnë hetime, kanë deklaruar se hetimi zyrtar lidhur me sulmin në Banjskë, po kryhet nga Policia e Kosovës.

“Hetimin zyrtar për ngjarjet e përmendura po e kryen Policia e Kosovës, si reaguese e parë e sigurisë. Kështu që ju referoj tek ata për çdo koment të mëtejshëm”, kishte deklaruar një zyrtar i NATO’s për Express.

Nga Policia e Kosovës s’kanë pranuar të deklarohen asnjëherë lidhur me rrjedhën e hetimeve, vetëm se rasti po koordinohet me Prokurorinë e Shtetit.

“Referuar ngjarjes në Banjskë të datës 24 shtator, Policia e Kosovës përmes komunikatave zyrtare te PK-së, përmes komunikatave të përbashkëta me PSRK-në, konferencave për shtyp ku janë ekspozuar dëshmitë e konfiskuara si dhe deklarimeve nga kompetentet në DRP-Mitrovicë Veri, i ka bërë publike informacionet zyrtare te cilave mund t’i referoheni. Rasti është duke u trajtuar në koordinim me organet e drejtësisë (Prokurorinë e Shtetit) dhe në këtë fazë nuk mund të jepen më shumë të dhëna lidhur me ecurinë e rastit”.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, hetimi përfundon brenda dy viteve.

Por, në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, “gjyqtari i procedurës paraprake mund të autorizojë zgjatjen e hetimit nga paragrafi 1 i këtij neni deri në një vit, kur prokurori i shtetit dëshmon se hetimi është zhvilluar në mënyrë aktive dhe se çdo vonesë është jashtë kontrollit të prokurorit të shtetit.”

@tn.lajmelokale
@tetovanews