Ballina Aktualitet Albin Kurti: I besoj Arben Taravarit, ia VLEN energjia e re në...

Albin Kurti: I besoj Arben Taravarit, ia VLEN energjia e re në Maqedoni

Kandidati për deputet në njësinë zgjedhore 6 nga koalicioni VLEN, Bekim Qoku ka përcjellur fjalën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në Cyrih të Zvicës lidhur me përkrahjen e dhënë për Arben Taravarin kandidatin për president dhe kandidatëve për deputet nga koalicioni opozitar VLEN në zgjedhjet e 24 prillit dhe 8 majit në Maqedoninë e Veriut.

Fjalimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti:

“Të dashur bashkatdhetarë, Të nderuar udhëheqës politikë, Arben Taravari, Bilall Kasami, Izet Mexhiti, Afrim Gashi e Bekim Qoku.

Më vjen keq që nuk mund të jem sonte me juve në Berlin dhe Zyrih. Obligimet dhe detyrat e shumta në Kosovë në përgjegjësitë e mia si kryeministër i Republikës dhe si kryetar i VETËVENDOSJE!-s ma bënë të pamundur kësaj radhe që t’ju bashkangjitem. Ju përshëndes përzemërsisht nga Prishtina.

Për më tepër, kemi kërcënime të vazhdueshme nga fqinji ynë verior i cili këtë javë po mban ushtrime ushatarke, sidomos në Peshter, dje me dronë luftarakë kamikazë, 30 kilometra larg kufirit me Kosovën dhe 3 kilometra larg Malit të Zi. Në njërën anë, ky ushtrim është cenim i sigurisë dhe paqes në rajon, e në anën tjetër, është ndotja më e madhe e ajrit dhe tokës në këtë shekull në Sanxhak.

Ata do të dështojnë, ne do të fitojmë, por kjo nuk do të thotë që nuk mund të na dëmtojnë. Andaj, duhet të jemi të fortë dhe të kujdesshëm. Në Kosovë jemi duke e bërë edhe regjistrimin e popullsisë i cili filloi para dy javëve dhe zgjat deri më 17 maj. Ky regjistrim i popullsisë është vendimtar për planifikim të saktë dhe shpërndarje të drejtë në çdo fushë e sektor. E di që regjistrimi i fundit në Maqedoni të Veriut i nxori shqiptarët 29,5% të popullsisë. Por e di që mërgata jonë shqiptare nuk është e ndarë sipas shteteve ku jemi në Ballkan, andaj u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë në tubim që të regjistrohen. Kosova për herë të parë ka filluar regjistrimin online të diasporës, dhe prej se është hapur platforma janë regjistruar afër 35 mijë qytetarë deri më tani. Andaj, bëjeni regjistrimin online përmes platfomës ediaspora.rks-gov.net.

Të mërkuren e 24 prillit mbahen zgjedhjet presidenciale të raundit të parë, kurse pas dy javësh raundi i dytë përputhet me zgjedhje parlamentare. Votoni masivisht. Ju uroj e dëshiroj zgjedhje të lira dhe demokratike, të ndershme e të mbara. Maqedonia e Veriut është shtet fqinj, partner dhe mik i Kosovës. Është anëtare e re e NATO-s, ka orientim përgjithësisht pro-evropian, ia ka vendosur sanksionet Federatës Ruse për shkak të agresionit në Ukrainë. Dhe, kështu duhet të mbetet edhe pas këtyre zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Republika jonë, por edhe rajoni i Ballkanit Përendimor në përgjithësi, ka nevojë për një faktor politik në Republikën e Maqedonisë së Veriut, i cili në këto kohëra të ballafaqimit të përditshëm e sistematik me Serbinë agresore, do të jetë krah i fortë i Kosovës, në mbështetje të paqes e sigurisë, mirëqenies e demokracisë.

Unë uroj që Presidenti dhe Qeveria e ardhshme të jenë pro-evropiane, demokratike, progresiste. Të tillë që ta mbështesin fuqishëm ndërtimin sa më të shpejtë të rrugës me tunel nën Malet e Sharrit e që i lidh Prizrenin me Tetovën, duke e përgjysmuar kohën e udhëtrimit. Uroj që Presidenti dhe Qeveria e ardhshme të dalin nga i ashtuquajturi “Ballkan i Hapur” që lindi në Novi Sad. Nisma “Ballkani i Hapur” nuk është mjaftueshëm evropiane. Ballkani evropian që e duam e na duhet është mjaftueshëm i hapur. Dhe, uroj që në politikën e jashtme të fqinjësisë së mirë Presidenti dhe Qeveria e ardhshme në Shkup t’i vendosin më lart Tiranën e Prishtinën, bashkë me Sofjen e Athinën, sesa Beogradin.

Të dashur mërgimtarë tanë e qytetarë evropianë, mos harroni edhe që me 9 qershor janë zgjedhjet në Bashkimin Evropian. Më të rëndësishmet që nga vitit 1979 kur u mbajtën ato për herë të parë për Parlamentin Evopian. Të gjithë ju që keni të drejtë vote, dilni në zgjedhje me 9 qershor dhe inkurajoni rrethin tuaj familjar e farefisnor, miqtë e dashamirët, kolegët dhe të njohurit e tjerë, të votojnë për progresistët dhe demokratët. Kontinenti ynë duhet shpëtuar nga racizmi e ksenofobia, dhe atyre që pak a shumë flirtojnë me ta. Mbështeteni familjen politike të qendrës së majtë, sepse vetëm ajo është e besueshme në luftën kundër ekstremizmave dhe kundër fashizmit të shekullit XXI që kërcënojnë rëndë demokracitë evropiane, e posaçërisht Gjermaninë.

Të dashur bashkatdhetarë, sa më shpesh që mblidheni e diskutoni, sa më shumë që bashkoheni e angazhoheni, aq më mirë për juve dhe për neve. Le të punojmë bashkë për zhvillim, le të përpiqemi vazhdimisht për drejtësi, le të qëndrojmë gjithnjë për barazi, le të kontribuojmë pa u ndalur për përparim. Ju përshëndes të gjithëve e në veçanti mikun tim e kryetarin tuaj Dr. Arben Taravarin që e kam shok ngahera dhe i besoj si për nga orientimi ashtu edhe për nga karakteri. Energjia e re është e mirëseardhur në skenën politike shqiptare për shumë arsye. Ajo gjithsesi ia vlen, sidomos në situatat që po i përjetojmë e jetojmë tani. Suksese të mërkuren e zgjedhjeve dhe në çdo ditë pune e pushimi!”, ka përfunduar Kurti.

@tn.lajmelokale
@tetovanews