Ballina Aktualitet U ndalua nga Serbia në Jarinjë, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U ndalua nga Serbia në Jarinjë, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, është liruar nga autoritetet serbe dhe ndodhet rrugës për t’u kthyer në Kosovë, njoftoi të enjten vonë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës (MPJD).

Jankoviq ishte ndaluar më 17 prill në pikëkalimin kufitar të Jarinjës – që lidh Kosovën me Serbinë dhe akuzohej për prishje të rendit kushtetues të Serbisë, sipas ministrit të Brendshëm të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“MPJD njofton opinionin e gjerë publik se përfaqësuesi i zyrës së Republikës së Kosovës në Serbi, ambasadori Jetish Jashari, ka konfirmuar se zëvendësdrejtorit i Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq, sapo është liruar dhe ndodhet rrugës për në Kosovë”, njoftoi Ministria e Jashtme e Kosovës në Facebook.

Ministria kosovare tha se do të dalë më hollësi të tjera rreth këtij rasti më vonë.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, tha pas lirimit të Jankoviqit të enjten vonë se ai “ishte ndaluar për dy ditë me radhë arbitrarisht dhe është marrë në pyetje nga organet e Serbisë”.

Sipas autoriteteve kosovare, Jankoviq ishte në mesin e 10 zyrtarëve kosovarë që u ndaluan nga autoritetet serbe më 17 prill. Të gjithë prej tyre janë liruar tashmë.

Lirimi i tij vjen pak orë pasi Departamenti amerikan i Shtetit i tha Radios Evropa e Lirë që pret lirimin e menjëhershëm të Jankoviqit.

Departamenti amerikan i Shtetit i bëri thirrje Serbisë të vetëpërmbahet nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara, të veprojnë me transparencë dhe në përputhje të plotë me ligjin në lidhje me qytetarët kosovarë të ndaluar në Serbi dje.

“Ndalimet arbitrare apo padrejtësisht të gjata, posaçërisht nëse cak i tyre janë oficerët e Policisë së Kosovës, do të shihen si veprime përshkallëzuese që dëmtojnë paqen dhe stabilitetin”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë më 18 prill. /REL

@tn.lajmelokale
@tetovanews