Ballina Aktualitet Sondazhi: Kosova është vendi më proamerikan në botë

Sondazhi: Kosova është vendi më proamerikan në botë

Kosova është shteti më pro amerikan në botë. Kështu raporton media Newsweek, duke cituar të dhënat nga një sondazh i kryer nga instituti Gallup. Niveli i mbështetjes në Kosovë për Shtetet e Bashkuara është +78 për qind.

Më pas vijnë vende si Polonia dhe Izraeli, si fansat më të mëdhenj të Amerikës. Ambasadori i Prishtinës në SHBA, Ilir Dugolli, thotë për Newsweek se përtej raporteve diplomatike, marrëdhëniet mes njerëzve në të dyja vendet mbeten të thella.

“Përmes administratave të njëpasnjëshme, Shtetet e Bashkuara e kanë mbajtur të palëkundur mbështetjen për ne, duke njohur aspiratat tona për zhvillim dhe integrim në komunitetin Euro-Atlantik si një vend i lirë dhe i pavarur.”, thotë Ilir Dugolli, ambasador i Kosovës në SHBA.

Nga ana tjetër, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, thotë për median Newsweek se SHBA-të janë krenare me arritjet e Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara janë krenare që kanë mbështetur popullin e Kosovës në përmirësimin e shtetit të tyre demokratik, multietnik dhe sovran. Ajo çfarë kanë arritur njerëzit e Kosovës në 25 vite pas spastrimit brutal etnik të regjimit të Millosheviçit, si dhe 16 vite pas pavarësisë së plotë, është me të vërtetë mbresëlënëse.”, thotë Jeffrey Hovenier, ambasador i SHBA në Kosovë.

Edhe Shqipëria futet në vendet që mbështet fuqishëm Amerikën. Kurse Serbia dhe Mali i Zi renditen mes shteteve ku nuk pëlqehet aq shumë Uashingtoni. Në këtë listë të “kundërshtarëve” të Uashingtonit futet Rusia, Irani dhe Afganistani.