Ballina Bota Tragjedi në Irak, të paktën 60 viktima në një qendër tregtare (VIDEO)

Tragjedi në Irak, të paktën 60 viktima në një qendër tregtare (VIDEO)

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë një qendër tregtare në qytetin lindor të Irakut, Kut, duke shkaktuar të paktën 60 viktima dhe dhjetëra të plagosur, sipas autoriteteve shëndetësore dhe burimeve policore lokale.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë ndërtesën pesëkatëshe të mbuluar nga flakët gjatë natës, ndërsa forcat zjarrfikëse përpiqen të vënë situatën nën kontroll. Reuters raporton se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur autenticitetin e videove.

Sipas një korrespondenti të AFP-së në vendngjarje, qendra tregtare ishte hapur vetëm pesë ditë më parë. Raportet paraprake sugjerojnë se zjarri ka shpërthyer fillimisht në katin e parë. Gazetari shton se ka parë trupa të djegur në ambientet e spitalit lokal.

“Ne kemi konfirmuar identitetin e 59 viktimave, ndërsa një trup është djegur në një masë të tillë që e bën të pamundur identifikimin,” deklaroi për Reuters një zyrtar shëndetësor i qytetit.

Zyrtari i qytetit, Ali al-Mayahi, tha se ende ka trupa të pajetë nën rrënojat e ndërtesës së shkrumbuar.

Pamje të tjera në rrjet tregojnë familjarë të tronditur dhe të përlotur, që presin në ankth lajme për të afërmit e tyre. Shkaku i zjarrit nuk është konfirmuar ende, por guvernatori i provincës ka deklaruar për agjencinë shtetërore INA se rezultatet paraprake të hetimit priten brenda 48 orëve.

“Ne kemi paraqitur kallëzim penal ndaj pronarit të ndërtesës dhe të qendrës tregtare,” njoftoi guvernatori për INA-n, duke shpallur gjithashtu tre ditë zie në të gjithë provincën.