Shqipëria mposht 1-0 Letoninë në Air Albania e parakalon Serbinë në renditjen e Grupit K në kualifikueset e Botërorit 2026. Vendos Asllani me penallti, në atë që ishte fitorja e parë historike me letonezët, pas 6 barazimesh në po aq ndeshje. Sylvinho e të tijtë janë të dytët me 8 pikë, pas Anglisë e një pikë para Serbisë me të cilën do të ndeshen pas një muaji.
Sylvinho riktheu emrat e besuar nga Bajrami te Manaj nga minuta e pare, por për 20 minuta kuqezinjtë ishin kaotikë, me pasime sterile e një Broja që ishte vetëm numër në fushë, me të vetmen goditje që doli gati rivënie anësore. Duhej një blitz i Bajramit e Laçit, krosimi i të cilit u ndal me dorë nga një mbrojtës, për të zhbllokuar ndeshjen. Këtë herë nga pika e bardhë shkoi Asllani, e Shqipëria kaloi në avantazh. Goli ishte një injektim besimi, që mund të pasohej nga 2-0 nëse Manaj do të korrigjonte shënjestrën me pak cm, në goditjen e tij të parë drejt portës. Intensiteti ishte i njëjtë edhe pas rifillimit dhe Bajrami dërgoi ngjitur me shtyllën një aksion të gjithin në shpejtësi të Brojës e Hysajt.
Ajo që pastaj humbi Gjimshiti në minutën e 61’ në zhvillimet e një goditje dënimi ishte në kufijtë e të pabesueshmes: ngjitur me shtyllën né mes të zonës së vogël. Nuk ishte performanca më e mirë ndonjëherë e kuqezinjve, por ishte skuadra më e mirë e mbrëmjes. Sidoqoftë, Sylvinho ka gjëra për të përmirësuar në sulm, duke nisur nga Broja, por edhe prapa. Porta e pastër mbeti vetëm sepse Cernomodijs në pjesën e parë e Gutkovskis në të dytën treguan limitet e mbrojtjes kuqezi, që në Beograd pas një muaji nuk mund ti lejojë vetes të tilla neglizhenca.















