Ballina Aktualitet Kush fitoi e kush humbi në Zgjedhjet Lokale 2025 në Kosovë?

Kush fitoi e kush humbi në Zgjedhjet Lokale 2025 në Kosovë?

Pas numërimit të shumicës së votave nga vendovtimet e rregullta të procesit zgjedhor të 12 tetorit, një numër i madh i kandidatëve për të parin e komunës do të vazhdojnë garën përmes balotazhit pas një muaji. Në mesin e këtyre komunave, 17 gjithsej sa do shkojnë në balotazh, hyjnë nga komunat e mëdha si Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani e deri te ato të voglat si Juniku e Kllokoti.

Nga rezultatet e deritanishme të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ku nuk përfshihen votat e diasporës, ato me kusht, dhe të personave me nevoja të veçanta, gara do të vijojë edhe më 9 nëntor, meqë në shumicën e komunave kandidatët nuk kanë arritur t’i marrin 50 % të votave.

Sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka fituar pa balotazh tri komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po ashtu ka fituar në tri komuna, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dy komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) një komunë, NISMA Socialdemokrate po ashtu në një komunë; Lista Serbe ka fituar 9 komuna, si dhe nga një komunë e ka fituar “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin” dhe Partia Turke e Bashkuar e Kosovës (KDTP).

Kamenica e cila udhëhiqej nga Kadri Rahimaj i LVV-së, do të vazhdojë të udhëhiqet nga po i njëjti kryetar. Kjo sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Rahimaj që kundërshtar kryesor kishte Qëndron Kastratin e Partisë Socialdemokrate (PSD), ka fituar 50.56% të votave në Kamenicë.

Tetova News në YouTube:

LVV pa balotazh ka fituar edhe në Podujevë, komunë kjo që udhëhiqet që nga viti 2020 nga Shpejtim Bulliqi. Në zgjedhjet e 12 tetorit, Bulliqi fitoi 53.42% të votave. Kundërshtar kryesor e kishte Ekrem Hysenin nga LDK-ja.

Pa balotazh, sipas rezultateve preliminare, LVV me Qemajl Aliun ka fituar edhe në komunën e Shtimes. Aliu që mori 50.47% të votave, kundërshtar kryesor kishte Përparim Ramusën e PDK-së.

Partia që udhëhiqet nga Albin Kurti ka shkuar në balotazh në 12 komuna dhe garon për t’i fituar ato në garën që do të mbahet më 9 nëntor.

Në Prishtinë, Hajrulla Çeku mori 33.05% të votave; në Gjilan, Alban Hyseni sipas rezultateve preliminare mori 49.79%; në Mitrovicë të Jugut, Faton Peci mori 47.80%; në Pejë Taulant Kelmendi mori 27.88%; në Gjakovë Ardian Gola mori 32.82%; në Prizren Artan Abrashi mori 29.80%; në Viti, Arsim Ademi 33.55%; në Fushë Kosovë Valon Prebreza 45.14% të votave; në Obiliq Halil Thaçi 44.04%; në Kaçanik, Jeton Raka 37.86%; në Vushtrri, Sylejman Meholli 30.63% dhe në Rahovec, Ali Dula mori 23.92% të votave.

Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2021, ku nuk fitoi asnjë komunë pa balotazh, në këtë garë, Vetëvendosje ka shënuar tri fitore në komunat që i udhëhoqi në mandatin e kaluar.

I pari i VV-së, Albin Kurti në një konferencë për media më 13.10.2025 tha se ka gjasa që me votat e diasporës e ato me kusht edhe Alban Hyseni i Gjilanit të fitojë pa balotazh.

“Pjesa e parë e garës përfundoi mbrëmë. Nga sot i përvishemi punës për balotazh. Synimi ynë është i qartë, që kandidatët tonë të fitojnë edhe në këto komuna dhe të kthehet ose të vazhdojë qeverisja e mirë të cilën qytetarët e meritojnë dhe që komunat tona të ecin përpara me mirëqenie, drejtësi e barazi- e të jenë komuna që funksionojnë dhe të qeverisen me transparencë” – tha Kurti.

Ai është shprehur i bindur se në të gjitha komunat ku partia që e udhëheq, kandidatët për kryetarë të LVV-së do të jenë fitues në balotazh.

Në anën tjetër, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka fituar pa balotazh tri komuna, të cilat i qeverisë për vite me radhë. Edhe në këto zgjedhje, PDK arriti të mbajë sërish Skenderajn, veçse kësaj radhe me Sami Lushtakun; Ferizajn sërish me Agim Aliun dhe poashtu Hanin e Elezit me Mehmet Ballazhin.

Me 95.45 % të vendvotimeve të rregullta të numëruara në Ferizaj, Agim Aliu ka marrë 56.47 % të votave. Në Han të Elezit, poashtu kryetari aktual Mehmet Ballazhi e ka siguruar fitoren me 50,94 % ose 2,527 vota.

Kjo parti, poashtu është e para në katër komuna që shkojnë në balotazh: në Kaçanik, Mitrovicë të Jugut, Prizren dhe në Vushtrri. Kurse, e dyta në balotazh është në dy komuna: në Dragash dhe në Klinë.

Në Prizren, kryetari aktual i kësaj komune, Shaqir Totaj, doli i pari duke marrë 41,99% ose 24,281 vota, mirëpo në balotazh me LVV-në. Edhe në Kaçanik, në balotazh janë Sabedin Vishi që mori 39.86% të votave dhe Jeton Raka i LVV-së që mori 37.86% të votave. Vushtrria do jetë fushëbetejë balotazhi në mes Ferit Idrizit të PDK-së dhe Sylejman Mehollit të LVV-së. Kurse, në Mitrovicë të Jugut, garë e ashpër balotazhi pritet mes Arian Tahirit të PDK-së dhe Faton Pecit të LVV-së.

Në Dragash, PDK-ja është e dyta në balotazh me LDK-në. Behxhet Xheladini i LDK-së i ka  43,98 %, ndërsa Shaban Shabani i PDK-së, 28,38%. Ndërkaq, në Klinë, Zenun Elezaj i AAK-së ka dalë i pari me 48.04 % të votave, ndërsa Sokol Bashota nga PDK-ja me 35.98 % të votave.

Ndryshe nga zgjedhjet e vitit 2021, PDK në këto zgjedhje ka rënë në fitoret pa balotazh nga katër në vitin 2021, në tri kësaj radhe. Kurse, si e para në balotazh, PDK nga këto zgjedhje del me katra, ndryshe prej herës të kaluar që ishin tri.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas rezultateve falendëroi qytetarët duke vlerësuar se ata përcaktuan për modelin më të mirë të qeverisjes lokale.

“Vazhdojmë me përkushtim dhe besim drejt rikonfirmimit të fitoreve në çdo komunë ku jemi në balotazh”- shkruajti Krasniqi në Facebook më 12.10.2025.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), nuk ka lëvizur shumë nga pozicionet që ka pasur edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2021.

Kësaj radhe, LDK fitoi pa balotazh dy komunat që i ka pasur edhe herën e kaluar, Istogun dhe Lipjanin.

Për herën e katërt, Imri Ahmeti ka siguruar fitore në zgjedhjet lokale për kryetar të Komunës së Lipjanit, duke marrë 51.15 % të votave, apo gjithsej 15,029 vota. Ngjashëm edhe Ilir Ferati në Istog, i cili siguroi fitoren pa balotazh.

Ndërsa, e para në balotazh është në gjashtë komuna, përfshirë këtu edhe Kryeqytetin. E para në balotazh është edhe në Dragash, Obiliq, Pejë, Viti dhe Junik. Kurse, e dyta në balotazh është në Gjilan, Suharekë dhe Fushë Kosovë. Kjo e fundit ishte befasia, ngase Fushë Kosova përherë është qeverisur nga LDK-ja.

Balotazh në Prishtinë do të ketë mes Përparim Ramës të LDK-së që ka marrë 33.76 % të votave dhe Hajrulla Çekut të LVV-së që ka marrë 33.05 %.

Në Obiliq, Xhafer Gashi i LDK-së është në balotazh me Halil Thaçin e LVV-së.

Në Suharekë, vendin e dytë në rrugën drejt balotazhit është renditur Ardian Shala nga LDK-ja me 31.65% të votave përballë Bali Muharremajt nga AAK-ja që kryeson me 45.70% të votave.

Në Fushë Kosovë, Besnik Osmani i LDK-së i ka marrë 36,62% të votave.

Sokol Haliti i LDK-së nuk ka arritur të sigurojë mandatin e katërt në krye të Komunës së Vitisë. Në këtë komunë, do të mbahet edhe një rund i zgjedhjeve, pasi që asnjëri nga kandidatët nuk ka arritur t’i marrë mbi 50% të votave.

Në Pejë për të parin e komunës janë Gazmend Muhaxheri i LDK-së që synon mandatin e katërt e i cili ka marrë 46.11% të votave, dhe Taulant Kelmendi i LVV-së më 27.88% të votave.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas rezultateve, lavdëroi tre kryetarët e komunave që fituan pa balotazh.

“Sot, disa e festojnë fitoren. Imriu, Iliri e Ruzhdiu festojnë me raund të parë. Festojmë për ta të gjithë. E merituat me punë, me durim e me besim”- shkruajti ai në Facebook më 12.10.2025.

Abdixhiku duke përmendur që 9 komuna tjera i kanë në garë për një rund të ri, tha se edhe pse të tjerët nuk e morën rezultatin që e merituan duhet të mbajnë “kokën lartë”.

“Mos e merrni si humbje, meqë gara nuk ështe e tillë. Është përvojë, është themel për fitoret e ardhshme, është dëshmi se LDK ka njerëz të guximshëm që nuk dorëzohen kurrë”- shtoi ai.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar pa balotazh në Komunën e Deçanit. Atje Bashkim Ramosaj fitoi mandatin e tij të tretë si i pari i Deçanit.

Partia e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj ka shkuar në balotazh në pesë komuna, në shumicën e të cilave synon të mbaj pushtetin.

Në Gjakovë, në balotazh ka shkuar kryetari aktual Ardian Gjini i cili mori 47.74% të votave; në Rahovec Smajl Latifi me 37.28% të votave; në Klinë Zenun Elezaj me 48.04% të votave; në Suharekë Bali Muharremaj me 45.70% të votave; dhe në Junik Agron Kuçi me 40.68% të votave.

Ramush Haradinaj, pas përfundimit të procesit të votimit ka falënderuar garuesit, komisionerët, vëzhguesit dhe çdo kënd që ka kontribuar në rezultatin e AAK-së.

“Ata që sonte e kryen garën, nesër nisjani punës. E pas pak ditësh do t’ia nisin punës edhe kolegët e juaj që më bënë krenar” – ka shkruar Haradinaj më 12.10.2025.

“Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin” ka fituar pa balotazh në garën për komunën e Drenasit.

Lladrovci, i cili nga dhjetori i vitit 2026 është kryetar i Drenasit nga PDK, në zgjedhjet lokale të 12.10.2025, garoi me iniciativën e tij qytetare pasi që nuk u rikandidua nga kjo parti për kryetar komune.

Kundërshtar kryesor, ai e kishte Petrit Hajdarin nga partia me të cilën udhëhoqi që nga viti 2016- PDK.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ, Lladrovci ka marrë 52.31% të votave.

Pas përfundimit të procesit të votimit, Lladrovci përmes një postimi në rrjete sociale tha se fitorja e tij “ka befasuar shumë amatorë politikë, por, nuk e befasoi qytetarin krenar, dinjtoz e me integritet të Drenasit”.

“Befasia e këndshme, bashkë me fitoren për Drenasin, është befasia tjetër, kemi marrë më shumë vota “Për Drenasin Kampion” se PDK në Skenderaj” – shkroi tutje Lladrovci.

NISMA Socialdemokrate që udhëhiqet nga Fatmir Limaj ka fituar pa balotazh në Komunën e Malishevës.

Ekrem Kastrati fitoi mandatin e dytë në krye të Malishevës me rezultat preliminar prej 53.41% të votave në këtë komunë.

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj ka falënderuar qytetarët e Malishevës që i dhanë besimin Ekrem Kastratit edhe për një mandat, e vet kryetari i Malishevës, përmes rrjeteve sociale ka shprehur mirënjohje për qytetarët e komunës që udhëheq.

NISMA nuk është në garë për balotazh në asnjë komunë tjetër.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i ka fituar zgjedhjet në komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, duke i kthyer kështu kryetarët e etnisë serbe në krye të komunave. Kjo parti ka fituar edhe në Novobërdë, Shtërpcë, Graçanicë, Ranillug dhe Partesh.

Partia Turke e Bashkuar e Kosovës, e udhëhequr nga Fikrim Damka ka fituar në komunën e Mamushës me 50.52% të votave, kjo sipas rezultateve preliminiare i bie fitore pa balotazh.

Abdylhadi Krasniq ka fituar mandatin e tij të katërt si kryetar i Mamushës, komunë të cilën e udhëheq që nga viti 2013.

Kjo parti nuk garon në balotazh në asnjë komunë tjetër të Kosovës.

Krasniq ka falënderuar të gjithë bashkëvendasit e tij për besimin e dhënë, teksa në rrjete sociale ka shkruar se fitorja do të merret vesh saktësisht vetëm pasi që të dalin rezultatet përfundimtare nga KQZ.

Iniciativa Qytetare Srpska Narodna Sloga(Uniteti Kombëtar Serb) ka shkuar në balotazh në Komunën e Kllokotit. Në garën për të parin e Kllokotit, kandidati i kësaj iniciative qytetare Sreçko Spasiq ka fituar 31.43% të votave.

Spasiq kishte qenë kryetar i komunës së Kllokotit nga viti 2013 deri në vitin 2017.

Kush i humbi zgjedhjet lokale?

Në zgjedhjet lokale të 12.10.2025 përveç fitues ka pasur edhe humbës. Kryetarë të komunave që kanë humbur pushtetin lokal pa balotazh, teksa një parti humbi pushteti në një komunë që konisderohet bastion i saj.

Saktësisht, ata që humbën komunën pa balotazh janë katër kryetarët shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të vendit dhe Partia Demokratike e Kosovës në Drenas.

PDK konsiderohet se e ka bastion të vetin komunën e Drenasit, por në zgjedhjet lokale të vitit 2025 aty humbi pa balotazh. Ramiz Lladrovci i cili tri herë fitoi garën per kryetar të Drenasit me PDK-në, në këto zgjedhje mundi partinë e tij, krejt kjo pasi që kryesia e kësaj partie vendosi që të mos e rikandidoj atë për kryetar komunë, por Petrit Hajdarin.

Hajdari në garë me Ramiz Lladrovcin fitoi 37.31% të votave, të cilat ishin të pamjaftueshme për ta dërguar në balotazh Lladrovcin i cili fitoi mandatin e tij të tretë të rregullt, të katërtin përfshi fitimin e garës në vitin 2016 në gjysmë të mandatit.

Erden Atiq në Mitrovicë të Veriut, Izmir Zeqiri në Zubin Potok, Ilir Peci në Zveçan dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq ishin zgjedhur kryetarë në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2023 pasi që kryetarët serbë që ishin të Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje pas vendimit për bojkotimin e institucioneve të Kosovës, për shkak të pakënaqësive me politikat e Qeverisë së Kosovës. Lista Serbe kishte bojkotuar zgjedhjet e vitit 2023.

Erden Atiq, në Mitrovicën e Veriut sipas rezultateve preliminare renditet i treti me 10.80% të votave. Izmir Zeqiri në Zubin Potok renditet i katërti me 4.69% të votave, Ilir Peci në Zveçan renditet i katërti me 1.85% të votave dhe Lulzim Hetemi në Leposaviq renditet i shtati me 1% të votave. Të katër këto komuna i ka fituar Lista Serbe pa balotazh.

Më 13.09.2025 ka filluar fushata për zgjedhjet lokale të 12.10.2025.

Fushata ka zgjetur deri në ora 06:59 të datës 12.10.2025, kur në ora 07:00 filloi procesi i votimit për kryetarë të komunave dhe Kuvende Komunale.

2 milionë e 25 mijë e 105 votues ishin të regjistruar në listën e votuesve për zgjedhjet lokale 2025.

Prej tyre, në vendvotimet e rregullta dolën të votojnë 40.10% apo 811 mijë e 984 votues.

Rezultatet të cilat rifresohen në kohë reale nga KQZ mund t’i gjeni KËTU.

Rezultatet nga vendvotimet e rregullta dhe nuk përfshijnë votat me kusht, votimin e personave me nevoja të veçanta dhe votimin përmes postës./Kallxo