Ballina Sport Një natë që s’harrohet në Leskovc/ Shqipëria mposht Serbinë dhe ëndërron Botërorin

Një natë që s’harrohet në Leskovc/ Shqipëria mposht Serbinë dhe ëndërron Botërorin

Në një mbrëmje që nisi me tension e përfundoi me një shpërthim gëzimi, Shqipëria shënoi një fitore historike 1-0 ndaj Serbisë, duke zgjatur në pesë ndeshje serinë e pathyeshmërisë dhe duke i dhënë krahë ëndrrës më të madhe që kjo kombëtare ka ndjekur ndonjëherë: kualifikimin në Kupën e Botës.

Dueli jashtë fushës, siç pritej i kalonte kufijtë e thjeshtë të futbollit, si një përballje ballkanike ku historia, konfliktet dhe mllefet nacionaliste u përzien bashkë me objektivin sportiv, por në fushë lojtarët e kombëtares ia dolën që ta kontrollonin edhe betejën taktike, por edhe betejën me presionin e jashtëm. Në llogaritë e Serbisë nuk mjaftonte as një barazim, ndaj e shtyrë nga dëshira për të fituar brenda në fushë, skuadra mori në dorë frenat e ndeshjes që në minutat e para, duke u përplasur në mënyrë të përsëritur me organizimin mbrojtës të kombëtares kuqezi.

Pas një fillimi të kujdesshëm nga të dyja palët, sinjalin e parë e dha Dusan Vlahovic me një gjuajtje të fortë nga distanca që detyroi Strakoshën të ndërhynte. Pak më vonë, sulmuesi i Juventusit humbi rastin më të pastër të pjesës së parë kur, i lënë i lirë nga 10 metra, goditi jashtë. Serbia e dominoi posedimin, por Shqipëria u tregua e duruar, duke pritur momentin e saj.

Dhe ai moment erdhi pikërisht në sekondat e fundit të pjesës së parë, kur një huq i Arlind Ajetit u kthye në asist të papritur për Rey Manajn, i cili nuk fali: një gjuajtje e fuqishme, e saktë, në cepin e portës dhe Shqipëria kaloi në avantazh. Ishte një gol që ndryshoi gjithçka, sepse më shumë se avantazh numerik, ai i dha ekipit të Silvinjos një siguri dhe besim që nuk u lëkund deri në fund.

Tetova News në YouTube:

Serbia u hodh në sulm pas pushimit, Mitroviç dhe Vlahoviç patën rastet e tyre, por mungesa e qartësisë dhe prania e fortë e mbrojtjes shqiptare bënë që çdo tentativë të shuhet pa fryt. Në çdo kros të rrezikshëm, në çdo top të dytë, Shqipëria reagoi me vendosmëri, duke luajtur me zemër dhe inteligjencë, me atë lloj përkushtimi që kthen një grup futbollistësh në një skuadër të vërtetë. Në fund një rast i humbur i Nedim Bajramit që do të na kishte dhënë disa sekonda më shumë qetësi, megjithatë gjithçka duket e harruar me fitoren në Leskovc. Kur arbitri fërshëlleu fundin, kuqezinjtë morën frymë të lehtësuar; kanë marrë një avantazh që mund të rezultojë vendimtar në rrugën drejt Botërorit.

Tani, kur mbeten vetëm dy ndeshje për Shqipërinë, ndeshja në Air Albania kundër Anglisë dhe një sfidë ndaj Andorrës, tabela tregon qartë se gjithçka është në duart tona. Me 11 pikë të grumbulluara, Shqipëria ndodhet katër pikë përpara Serbisë, e cila ka 7 pikë dhe tri ndeshje për të luajtur: ndaj Andorrës, Letonisë dhe Anglisë.

Logjika e kualifikimit është e ftohtë dhe e pamëshirshme: nëse Shqipëria fiton me Andorrën, shkon në 14 pikë. Serbia, edhe nëse merr maksimumin ndaj Andorrës dhe Letonisë, arrin në 13 para se të përballet me Anglinë.

Kjo do të thotë se fitorja e Shqipërisë ndaj Andorrës e vendos ekipin kuqezi përfundimisht përpara Serbisë, pavarësisht rezultatit kundër Anglisë. Edhe në rastin më të keq, nëse Shqipëria humbet ndaj Anglisë dhe Serbia i fiton të gjitha tri ndeshjet, diferenca do të vijë në golavarazh dhe në përballjet direkte, ku Shqipëria tashmë ka epërsi me fitore e barazim.

Pra, shanset për të mbajtur vendin e dytë janë më të forta se kurrë. Matematikisht, Shqipëria ka shumë mundësi për të zënë vendin e dytë që të çon në play-off, një pozicion që do ta bënte për herë të parë pjesë të garës për një Botëror.

Në këtë kuptim, fitorja ndaj Serbisë është një çlirim psikologjik, që e vendos Shqipërinë një hap larg nga ëndrra që dikur dukej e paarritshme. Tani gjithçka varet nga shmangia e vetëkënaqësisë dhe nga aftësia për të trajtuar çdo minutë të mbetur me seriozitet dhe përkushtim./Lapsi.al