Një banor i fshatit Çellopek, Tetovë, i cili ishte pranuar në Spitalin Klinik të Tetovës, u soll në mënyrë agresive ndaj mjekut që po i ofronte ndihmë, sipas Sektorit të Punëve të Brendshme (SPB) të Tetovës, transmeton Portalb.mk.
Më pas ai sulmoi policët të cilët u thirrën nga stafi i spitalit.
“Dje në orën 16:00, policët ndaluan M. M. (28) nga fshati Çellopek, duke vepruar në bazë të denoncimi të mëparshëm nga Spitali Klinik i Tetovës. Ai u raportua se ishte sjellë në mënyrë agresive ndaj stafit dhe kishte sulmuar fizikisht L. A. (31) nga fshati Zhelinë, mjek në spital, ndërsa ai po përpiqej t’i ofronte ndihmë mjekësore”, thuhet në njoftimin e policisë.
Pas mbërritjes së policëve, sipas SPB të Tetovës, M. M. u soll në mënyrë agresive ndaj tyre dhe kishte sulmuar fizikisht njërin prej tyre.
Për shkak të kësaj, ai po mbahet në stacionin e policisë dhe pas dokumentimit të rastit, kundër tij do të ngrihen akuza përkatëse.















