Këshilli Gjyqësor e shkarkoi gjyqtarin Enver Bexheti nga Gjykata e Apelit, i cili i ruante në sirtar lëndët e Sasho Mijallkovit derisa ato të vjetroheshin. Në vendim thuhet se ka kryer shkelje të rëndë disiplinore dhe me sjelljen e tij ka dëmtuar reputacionin e gjykatës, raporton TV21.
Bexheti u fut gjithashtu në listën e zezë të SHBA-së për shkak të korrupsionit të konsiderueshëm dhe marrjes së ryshfetit nga Mijallkov.
Pas publikimit të emrave, Prokuroria hapi parahetim për rastin. Në mbrojtjen para Këshillit, Bexheti pretendoi se kundër tij nuk ka procedim penal dhe se “lista e zezë” nuk është dokument obligues, ndërsa mbajtjen e lëndëve në sirar e arsyetoi me kushtet e punës gjatë pandemisë.
Ndryshe, gjyqtari i apelit, Enver Bexheti, më 27 maj u shkarkua nga Këshilli Gjyqësor. Ai është shkarkuar pasi është në “listën e zezë” të SHBA-së që nga viti i kaluar.
Kujtojmë se gjykatësi i Apelit Enver Bexheti, krahas Artan Grubit të BDI-së, ishte një ndër 14 personat në listën e re të zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit me personat dhe familjet e tyre të afërta të cilëve u ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjykatësi i Apelit Enver Bexheti janë cilësuar publikisht për përfshirje në korrupsion të madh duke pranuar ryshfet për të çrregulluar procedurat gjyqësore lidhur me dënimin penal të Sasho Mijallkovit, ish-drejtorit të DSK-së.















