Statusi i ri me të cilin SPAK pagëzoi Belinda Ballukun kur e shpalli “të pandehur” për tenderin e tunelit të Llogarasë ka ngritur pikëpyetje të shumta për të ardhmen e saj politike. A do të vazhdojë Edi Rama t’i besojë një “të pandehure” drejtimin e qeverisë në mungesë të tij? Apo do ta largojë, siç ka bërë me bashkëpuntorët e tjerë që iu akuzuan për korrupsion?

Për të kuptuar nëse ekziston vërtet një krisje mes Ramës dhe Ballukut, ia vlen të shihet sjellja e tyre në publik. Këtë të diel, të dy ishin në homazhet për Fatos Nanon.
Ceremonia zgjati pak më shumë se një orë dhe si Rama, ashtu dhe Balluku u gjendën në të njëjtin ambjent.
Lapsi.al pa me kujdes fotot që u shpërndanë nga LSA, imazhet që tregojnë diçka më shumë nga regjia e kontrolluar e kryeministrisë.
Në to, vihet re se Rama dhe Balluku u kujdesën që të mos kenë asnjë kontakt, qëndruan ftohtë dhe shmangën një përshëndetje me njëri tjetrin. Le t’i marrim me radhë imazhet që vijnë nga Pallati i Kongreseve, në homazhet për të ndjerin Fatos Nano.

Arkëmorti me trupin e Nanos ishte vendosur në mes dy rreshtave me karrige në hyrjen kryesore të godinës, kur sapo futesh në hollin e katit të parë. (shiko foton më lart) Në të majtë të hyrjes qëndronin ulur familjarët dhe miqtë më të afërt të të ndjerit. Në të djathtë, ishin caktuar të uleshin bashkëpuntorë dhe politikanë me të cilët ai pati marrëdhënie të ngushta ndër vite. Foto më lart është shkrepur herët, kur karriget e rezervuara për politikanët ishin ende bosh, ndërsa familjarët përcillnin dashamirësit e Nanos që kryen homazhe.
Edi dhe Linda Rama mbërritën pak me vonesë. Para se të shfaqej çifti kryeministror, në hollin e Pallatit të Kongreseve kishin zënë vend thuajse të gjithë politkanët dhe zyrtarët e caktuar nga protokolli, siç duket në foton më poshtë.

Vini re me kujdes foton më lart! Protokolli kishte përcaktuar që Edi dhe Linda Rama të uleshin në dy karriget që janë bosh. Në njërin cep të rreshtit, Linda Rama do të kishte përkrah Niko Peleshin, kurse krah saj, Edi Rama do të kishte pranë Arta Daden ose Gramoz Ruçin. (Të dy ndërrojnë vendet më vonë)
Balluku është caktuar të ulet disa vende më tej. Mes Ballukut dhe Ramës është ruajtur një distancë e konsiderueshme. Mes tyre është Arta Dade, Gramoz Ruçi, Albin Kurti dhe Ali Ahmeti.
Siç do të shihet më pas, kjo largësi e qëllimshme nga Balluku, i dha mundësi Edi Ramës ta shmangë numrin dy të qeverisë përgjatë vazhdimit të ceremonisë.

Kur Edi dhe Linda Rama hynë në sallë, ata ecën drejt dhe fillimisht nderuan përballë arkëmortit të Nanos siç duket në foton më lart. Pastaj takuan familjarët e të ndjerit dhe në fund, u drejtuan tek vendet e lëna bosh për ta.
Edhe pse aty pranë ishte ulur Albin Kurti i ardhur nga Kosova, ishte Ali Ahmeti që kishte udhëtuar nga Maqedonia e Veriut, sërish kryeministri Edi Rama bëri një veprim instiktiv dhe u ul menjëherë në vendin e tij, pa përshëndetur askënd, pa i folur askujt. Sjellja e tij e ngurtë dhe pa takt ra në sy menjëherë, sidomos për shkak të miqve nga përtej kufirit.
Vetëm pasi ishte ulur bashkë me Lindën në vendet e caktuara, Rama vendos të kthehet për t’i dhënë dorën personave të tjerë që kishte në krah, njëri pas tjetrit.
Fillimisht përshëndet Gramoz Ruçin dhe pastaj zgjat dorën për të takuar Arta Daden. Hedh sytë më tej dhe zgjat dorën për ta shtrënguar atë me Albin Kurtin. Vetëm se përshëndetjet i bën pa u çuar nga vendi.

E çuditshme në takimin e duarve me Kurtin është se Rama e mban kokën ulur, sikur përpiqet të evitojë me çdo kusht hedhjen e vështrimit në krahun e tij të majtë, tek personat e tjerë që ishin ulur pas kryeministrit të Kosovës.
Madje në një foto të dytë, Rama duket se e ka kthyer kokën me shpejtësi djathtas, ndërsa ende ishte duke shtrënguar duart me Albin Kurtin. Shikoni foton më poshtë:

Ky shqetësim për ta mbajtur kokën vetëm djathtas, bie në sy sidomos në foton më lart. Kryeministri jo vetëm nuk ka lëvizur nga vendi për Kurtin, por tenton të kthehet sa më shpejt në anën tjetër, ku është Linda Rama.
Ndërkohë pak momente më pas, një imazh tjetër e tregon kryeministrin teksa hedh sytë vjedhurazi pas shpinës së Albin Kurtit. Ka pikasur aty Ali Ahmetin, mikun e tij që ka udhëtuar nga Maqedonia e Veriut dhe që nuk mund ta shpërfillë. Shikojeni më poshtë:

I ndërgjegjshëm se është sjellë pa etikë kur është ulur pa ia hedhur sytë askujt, tenton të korrigjohet. Kuptohet se të gjitha këto veprime të nxituara bëhen për të shmangur Belinda Ballukun, por si ngjan e gjithë kjo në sytë e Ali Ahmetit?
Me trupin e drejtuar, në pritje të një shenje, kërkon një shikim dhe duket se e gjen. Menjëherë përkulet dhe i zgjat dorën sikletshëm Ali Ahmetit. Foto poshtë:

Përpiqet t’i mbajë duart sa më gjatë shtrënguar. Pak më tej qëndron Belinda Balluku. Zv.kryeministres nuk i lëviz asnjë muskul në fytyrë. Rama e heq shpejt shikimin dhe e kthen kokën në anën tjetër, ndërkohë që dorën e ka ende të shtrënguar me Ali Ahmetin. Shikoni foton më poshtë:

Foto më lart ka fiksuar pamjen më domethënëse të parehatisë së Ramës në sallë. Majtas ka dorën shtrënguar me Ali Ahmetin, ndërsa kokën e ka kthyer djathtas. Në asnjë mënyrë nuk do që t’i dhurojë asnjë vështrim Belinda Ballukut.
Kjo e fundit ka qëndruar ftohtë në ceremoni. Fytyra e tregon gati të nervozuar, hijerëndë, thuajse të zymtë. Kuptohet, jo për largimin nga jeta të Fatos Nanos. Ndoshta për herë të parë, po provon ndjesinë e lëshimit nga udhëheqja, pasigurinë e humbjes së pushtetit, që deri dje ia kishin falur me bujari.

Në ceremoni folën njëri pas tjetrit, bashkëshortja e të ndjerit, Xhoana, djali i tij ,Sokoli dhe në fund Edi Rama.
Pas fjalës së Ramës, arkivoli u ngrit nga ushtarët e gardës, të veshur me kostum ceremonial. Pas tyre, ecte ngadalë Xhoana Nano, e përlotur mbështetej në krahët e Linda Ramës.
Kortezhi i ndoqi pas në heshtje. Në itinerarin që ndoqi në bulevard, Edi Rama qëndroi në pjesën më të madhe të kohës me Albin Kurtin. Përkrah tyre, ishin Gramoz Ruçi me Ali Ahmetin.

Pjesë e kortezhit ishte edhe Belinda Balluku. Edhe pse mban numrin dy në qeveri, “Bela” u duk thjesht një numër rastësor me turmës së deputetëve dhe ministrave që vëzhguan me imtësi, lëvizjet e saj dhe të Ramës.
Në korridoret e partisë përflitet për një kërkesë për dorëheqje për “të pandehurën”. Ende asgjë nuk është e konfirmuar.
E sigurtë është se Rama bën çmos të distancohet nga çdo bashkëpuntor që ka telashe me prokurorët e SPAK-ut. Jo të gjithë i shkarkon menjëherë, por me të gjithë e ka nisur duke u hequr vështrimin./Lapsi.al















