Ballina Aktualitet Mbahet mbledhja konstituive e këshillit komunal, Jusuf Abduli u zgjodh kryetar i...

Mbahet mbledhja konstituive e këshillit komunal, Jusuf Abduli u zgjodh kryetar i Këshillit të Komunës së Tetovës, VLEN-VMRO me shumicë minimale

Pas marrjes së vërtetimeve për këshilltarët, Këshilli i Komunës së Tetovës sot e mbajti seancën e parë ku për kryetar u zgjodh Jusuf Abduli. “Për” votuan 16, 11 kundër dhe 1 abstenim, raporton Portalb.mk.

Shumicën e kësaj përbërje në këshillin komunal e përbëjnë VLEN dhe VMRO, ndërsa në opozitë janë AKI (BDI), LSDM, Levica dhe Më Mirë për Tetovën.

Këshilli i Komunës së Tetovës ka gjithsej 31 këshilltarë.

Këshilli i ri Komunal ka pësuar ndryshime të vogla krahasuar me përbërjen e mëparshme.

Sipas rezultateve të zgjedhjeve, koalicioni i VLEN dhe VMRO-DPMNE edhe më tej kanë shumicë minimale në Këshill.

Tetova News në YouTube:

VLEN fitoi 13 vende këshilltarësh, një më shumë se në zgjedhjet paraprake, dhe VMRO-DPMNE tani ka 3 vende këshilltarësh, ose një më pak se përbërja paraprake, kështu që me një total prej 16 këshilltarësh ata kanë shumicë minimale në Këshill.

Aleanca Kombëtare e udhëhequr nga BDI fitoi përsëri 12 këshilltarë, ndërsa LSDM tani ka vetëm një këshilltar në vend të dy që kishte në përbërjen e mëparshme të Këshillit.

Risi është se Levica, e cila tani ka arritur të hyjë në qeverisjen lokale me një këshilltar.

Lista e pavarur “Më mirë për Tetovën” siguroi gjithashtu një vend në Këshillin e ri të Komunës së Tetovës.

Në vjeshtë të vitit 2025, u mbajtën zgjedhjet lokale. Më 19 tetor u zhvillua rrethi i parë, ndërsa më 2 nëntor u zhvillua rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale. Votimi në të dy raundet kaloi pa ndonjë incident serioz.