Ballina Kronika Vdes tragjikisht i riu shqiptar në Britani, u shtyp nga kamioni teksa...

Vdes tragjikisht i riu shqiptar në Britani, u shtyp nga kamioni teksa po mbrohej nga i ftohti në koshin e plehrave

Një 30-vjeçar shqiptar ka humbur jetën në mënyrë tragjike disa ditë më parë në Northampton të Anglisë, pasi u shtyp nga një kamion plehrash ndërsa flinte brenda një koshi industrial për t’u mbrojtur nga i ftohti.

Viktima është identifikuar si Sajmir Beca, 30-vjeç, i cili u gjet i plagosur rëndë pasi koshi ku ai ishte strehuar u ngarkua nga kamioni i menaxhimit të mbetjeve në orët e para të mëngjesit të 31 tetorit, në rrugën Wellington Street, në qendër të Northamptonit.

Banorët e zonës u zgjuan nga britmat që vinin nga kamioni, ndërsa ambulanca dhe policia mbërritën në vendngjarje rreth orës 03:00. Sajmiri u dërgua me urgjencë në spitalin University Hospital Coventry, ku fatkeqësisht ndërroi jetë më 6 nëntor, si pasojë e dëmtimeve të rënda.

Sipas mjekes ligjore Anne Pember, ai vdiq nga dështimi i shumë organeve, i shkaktuar nga dëmtime të rënda shtypëse në legen dhe gjymtyrët e poshtme. Trupi i tij tashmë është kthyer te familja dhe ceremonia e varrimit është kryer.

Një mike e viktimës, e cila foli për Northampton Chronicle & Echo, tregoi se Sajmiri nuk ishte zakonisht person që flinte jashtë, por atë natë nuk arriti të gjente askënd ku mund të strehohej.

Tetova News në YouTube:

“Jemi shumë të pikëlluar dhe duam që ai të kujtohet për atë që ishte, një njeri i mirë, punëtor, i ndershëm, jo për mënyrën tragjike si humbi jetën,” tha ajo.

Ajo shtoi se bashkëshorti i saj nuk pushon së qari, i tronditur pse nuk e telefonoi atë natë për t’i ofruar strehim. “Do i thoja të vinte të flinte te ne. Ndoshta ai ndjeu turp, ndaj nuk kërkoi ndihmë,” tha ajo.

Kompania Veolia, e cila menaxhon koshat komercialë në qytet, shprehu keqardhje të thellë për ngjarjen.

“Jemi thellësisht të pikëlluar. Ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen e viktimës. Shoferi ynë reagoi menjëherë dhe do të vazhdojmë ta mbështesim,” deklaroi kompania, duke shtuar se gjatë dimrit rritet numri i të pastrehëve që strehohen në koshat e mbetjeve.

Policia e Northamptonshire njoftoi se incidenti nuk ka rrethana të dyshimta dhe çështja i është dorëzuar koronerit.

Ngjarja e rëndë ndodhi ndërsa temperaturat gjatë natës në Northampton arrijnë deri në në -3°C.