Ish-kryeministrja e Bangladeshit, Khaleda Zia, ka ndërruar jetë në moshën 80-vjeçare. Lajmi është konfirmuar nga Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP), e cila nuk ka dhënë detaje mbi shkakun e vdekjes.
Khaleda Zia ishte dy herë kryeministre e vendit dhe një nga figurat më të rëndësishme politike në historinë moderne të Bangladeshit. Rivaliteti i saj i ashpër me ish-kryeministren Sheikh Hasina shënoi politikën e vendit për më shumë se një brez.
Zia ishte e martuar me ish-presidentin Ziaur Rahman, i cili u vra gjatë një grushti shteti në vitin 1981. Pas vdekjes së tij, ajo ndihmoi në organizimin e një lëvizjeje masive kundër diktaturës ushtarake, e cila u rrëzua në vitin 1990. Ajo u bë kryeministre për herë të parë në vitin 1991 dhe më pas sërish në periudhën 2001–2006. Kundërshtarja e saj kryesore politike në këto zgjedhje ishte Sheikh Hasina.
U lirua nga akuzat për korrupsion
Khaleda Zia ishte përballur me akuza për korrupsion, të cilat ajo i kishte cilësuar si të motivuara politikisht. Në janar të vitit 2025, Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshme në çështjen e fundit që ishte ende në proces, duke i hapur rrugë mundësisë që të kandidonte sërish në zgjedhjet e planifikuara për shkurt 2026.
Sipas Partisë Nacionaliste të Bangladeshit, familja e saj kishte kërkuar të paktën 18 herë që autoritetet t’i lejonin trajtim mjekësor jashtë vendit, pasi ajo ishte liruar nga burgu për arsye shëndetësore në vitin 2020. Këto kërkesa ishin refuzuar nga qeveria e rivales së saj, Sheikh Hasina. Vetëm pas rrëzimit të kësaj të fundit nga pushteti në vitin 2024, një qeveri e përkohshme e udhëhequr nga fituesi i Çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus, i lejoi Khaleda Zias të udhëtonte jashtë vendit. Në janar 2025 ajo u nis drejt Londrës dhe në maj u kthye në Bangladesh.















