Ballina Bota Afrika e Jugut shpall gjendje emergjente kombëtare pas përmbytjeve

Afrika e Jugut shpall gjendje emergjente kombëtare pas përmbytjeve

Përmbytjet vrasin më shumë se 100 njerëz në Afrikën Jugore, ndërsa shirat intensifikohen. Shirat e rrëmbyeshëm kanë shkatërruar komunitete nga Mozambiku në Afrikën e Jugut, duke zhvendosur qindra mijëra njerëz.

Përmbytjet e shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut dhe stuhitë e fuqishme kanë nisur të tërhiqen në disa zona. Dhjetëra persona kanë humbur jetën.

Afrika e Jugut ka shpallur gjendje emergjente kombëtare pas përmbytjeve të rënda që lanë dhjetëra viktima. “E klasifikoj këtë ngjarje si një katastrofë kombëtare”, deklaroi të dielën drejtori i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Fatkeqësive të Afrikës së Jugut, Elias Sithole. Ndërsa autoritetet vazhduan edhe gjatë fundjavës kërkimet për të mbijetuar dhe nxjerrjen e trupave, në disa zona u vu re se ujërat kishin nisur të tërhiqeshin.

Parku i famshëm Kombëtar Kruger, i cili u mbyll të enjten për shkak të përmbytjeve, pritet të rihapet nga e hëna për vizitorët ditorë. Megjithatë, administrata e parkut u ka bërë thirrje vizitorëve për kujdes të shtuar.

Tetova News në YouTube:

Si Afrika e Jugut ashtu edhe vendi fqinj Mozambiku janë prej javësh të goditur nga reshje të forta shiu dhe stuhi. Vetëm në provincat verilindore Limpopo dhe Mpumalanga në Afrikën e Jugut kanë humbur jetën mbi 100 persona. Në disa rajone të Mozambikut, lumenjtë dolën nga shtrati dhe përmbytën lagje të tëra urbane, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Sipas autoriteteve, që nga 21 dhjetori, të paktën tetë persona kanë humbur jetën në Mozambik si pasojë e përmbytjeve./TN