Ekipet e shërbimeve kompetente janë në terren për pastrim dhe forcim të digave, ndërsa qytetarët paralajmërohen të lëvizin me kujdes në pikat kritike.
Pas reshjeve të dendura të shiut gjatë ditëve të fundit, në territorin e Maqedonisë janë shënuar përmbytje, dalje të lumenjve nga shtrati dhe rrëshqitje dheu në disa zona, por për momentin nuk ka situata serioze kritike.
Shtip dhe Shkup
Në Shtip janë të shpeshta rëniet e gurëve dhe rrëshqitjet e dheut në rrugë, ndërsa në rajonin e Shkupit nuk janë raportuar çrregullime të gjendjes së rregullt.
Ohër dhe Strugë
Në Ohër nuk ka raportime për objekte të përmbytura, ndërsa shërbimet kompetente po kontrollojnë pjesën kritike të lumit Dalian pranë fshatrave Orman dhe Debellopole. Lumi Sushica ka dalë nga shtrati në pjesën e rrugës “Prilepska”, ndërsa NP “Niskogradba” ndodhet në terren me mekanizim për ndalimin e ujit. Ekziston rrezik nga dalja e lumit Dalian pranë Koselit dhe fshatit Vapila.
Në Strugë janë përmbytur oborre në Reonin e 4-të, ndërsa Njësia Territoriale e Zjarrfikësve (TPPE Strugë) ndodhet në terren me pompa për nxjerrjen e ujit. Në rrugën Debar–Strugë ka rrëshqitje dheu, të cilat po pastrohen nga “Maqedoniapat”.
Veles
Në rajonin e Velesit nuk ka çrregullime të gjendjes së rregullt si pasojë e reshjeve.
Manastir dhe Krushevë
Në fshatrat Kravari, Zhabeni dhe Porodin janë përmbytur sipërfaqe bujqësore. Lumi Eleshka ka dalë nga shtrati, por niveli i ujit është në rënie. Rruga drejt Manastirit të Bukovës është dëmtuar, ndërsa NP “Niskogradba” po intervenon me mekanizëm ndërtimor. Për shkak të dëmtimit të urës mbi lumin Boishka, rruga lokale drejt fshatit Mrenoga është e mbyllur.
Në Krushevë, lumi Crna është i ngritur, por stabil, ndërsa digat po përforcohen. Njësia e Vetëqeverisjes Lokale e Krushevës do të formojë një komision për paraqitjen e dëmeve nga reshjet e rrëmbyeshme.
Prilep dhe Dolnen
Në fshatrat Lazhanë dhe Peshtalevë janë përmbytur oborre dhe ambiente përdhese, si dhe plantacione duhani. Mekanizëm ndërtimor po intervenon për pastrimin e kanaleve.
Resnjë
Janë përmbytur sipërfaqe bujqësore, oborre, shtëpi dhe magazina për ruajtjen e mollëve. Lumi Golema është rritur nga 1,40 m në 1,65 m. Ekipet e ndërmarrjeve publike dhe të pushtetit lokal në Resnjë janë në terren me makineri ndërtimore dhe pompa për nxjerrjen e ujit.
Strumicë, Kumanovë, Tetovë
Në këto rajone për momentin nuk ka raportime për dëme, dalje të lumenjve nga shtrati apo rrëshqitje dheu. Të gjitha akset rrugore janë të kalueshme, por me rrugë të lagështa.
Shërbimet kompetente po e ndjekin vazhdimisht situatën dhe po ndërhyjnë aty ku është e nevojshme, ndërsa qytetarët ftohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në rrugë të lagështa dhe në pikat kritike./TN















