Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të martën se republikanët duhet të fitojnë zgjedhjet e mesmandatit në vitin 2026, përndryshe demokratët do të nisin procedurat për shkarkimin e tij.
“Nëse nuk i fitojmë zgjedhjet e mesmandatit, ata do të gjejnë një arsye për të më shkarkuar”, tha Trump, duke iu referuar demokratëve, gjatë fjalimit në konferencën vjetore të Partisë Republikane. Ai shtoi se republikanët nuk kanë ndjekur të njëjtën qasje ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, duke thënë se ish-presidenti Joe Biden, sipas tij, “do të duhej të ishte shkarkuar për dhjetëra arsye”.
Gjatë fjalës së tij, Trump përsëriti edhe pretendime të pabazuara se zgjedhjet në SHBA janë “të manipuluara”, duke rikthyer sërish pretendimin e rremë se zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 ishin të “vjedhura”. Deklaratat vijnë në prag të përvjetorit të pestë të ngjarjeve të 6 janarit.
Presidenti amerikan u ndal edhe te operacioni ushtarak i SHBA-së në Venezuelë dhe arrestimi i presidentit Nicolas Maduro, duke i cilësuar goditjet në Karakas si “të jashtëzakonshme” dhe “gjeniale”.
“Ishte e jashtëzakonshme. Asnjë nga njerëzit tanë nuk u vra, ndërsa nga ana tjetër u vranë shumë”, tha Trump, duke iu referuar viktimave gjatë operacionit, mes të cilëve sipas tij kishte edhe shtetas kubanë. Ai shtoi se operacioni ishte planifikuar në mënyrë të tillë që forcat amerikane të kishin avantazh të plotë.















