Ballina Aktualitet Përfundon marshi, mijëra qytetarë kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Përfundon marshi, mijëra qytetarë kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Ka përfunduar marshi “Drejtësi, jo politikë” me të cilin është kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Mijëra qytetarë nga shumë qytete të Kosovës dhe pjesë të trojeve shqiptare i janë bashkuar thirrjes për këtë tubim më 17 shkurt në qendër të Prishtinës, derisa gjykimi në Hagë kundër Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit ka hyrë në fazën e fundit.

Marshi ishte organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.

Organizatori i protestës “Drejtësi, jo politikë”, Ismail Tasholli, ka thënë se kur vjen fjala për UÇK-në aty nuk ka ndarje dhe poste.

Ai ka deklaruar se për UÇK-në janë të gjithë bashkë.

Sipas tij, drejtësia nuk duhet të jetë selektive, duke shtuar se qytetarët duan drejtësi e jo politikë.

“Aty jemi bijtë e bijat e një historie që na ka bashkuar në momentet më të këqija. Në çdo qytet e fshat ku kemi shkuar, një fjalë ka qenë mbi të gjitha, UÇK. Kjo është krenaria që nuk shuhet. Sot është 17 shkurti, është dita kur një popull e shpalli para botës të drejtën për shtet, liri dhe dinjitet. Kjo ditë nuk është vetëm festë por edhe kujtesë”, ka thënë ai. Ai ka thënë se lufta e UCK-së ishte luftë çlirimtare. Sipas tij, lufta nuk është abstrakte sepse ka numra të njerëzve të vrarë, dhunuar e keqtrajtuar. Tasholli ka thënë se të gjitha këto janë plagë të hapura. “Duhet ta themi qartë dallimin mes agresorit dhe viktimës. UCK-ja nuk lindi për të marrë tokë të huaj por për ta mbrojtur tokën e vet. Kjo është e vërteta historike që nuk mund të ndryshohet. Ne nuk mund të pranojmë që proceset që zhvillohen në emër të popullit të Kosovës ta barazojnë viktimën me agresorin”, ka thënë ai.

E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi, ka thënë se është emocionuese t’i drejtohet një turme kaq të madhe.

Ajo ka deklaruar se sot është një ditë e shenjtë për popullin e Kosovës.

“Sot është ditë krenarie por edhe përkujtim për të gjithë ata që u flijuan për popullin. Kjo nuk erdhi vetvetiu por me sakrificë. Ne flasim për drejtësi dhe krimet që kreu Serbia në Kosovë. Nëse doni të dini se çfarë e bashkon popullin shqiptar, është liria”, ka thënë ajo.

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Muhamer Ibrahimi, ka thënë se para shumë vitesh në luftë ishin disa djem të rinj që nuk e dinin se do ta prisnin mëngjesin. Por, ka shtuar se kishin besimin e pathyer që një ditë Kosova do të bëhej e lirë.

Ai ka deklaruar se sot është dita kur liria e Kosovës është kthyer në shtet.

Ka thënë se zemra e Kosovës po rreh në Hagë në një proces që është tej zgjatur.

“Ne nuk kemi frikë nga drejtësia, sepse kush lufton për liri nuk i frikësohet të vërtetës. Ne kemi të drejtë të kërkojmë drejtësi të paanshme. UÇK-ja nuk ishte organizim për mbijetesë, për mburojë për fëmijët, gratë e pleqtë. Ishte përgjigja e një populli që po zhdukej. Sot kur e shoh këtë det njerëzish, e di që ata në Hagë nuk janë vetëm”, ka thënë ai.

Më tej ai ka theksuar se Kosova nuk u ndërtua nga heshtja, por nga guximi dhe sakrifica.

Ish-luftëtarja e UÇK-së, Shqipe Krasniqi, ka thënë se si sot kurrë më të bashkuar e më të zëshme nuk e ka parë Kosovën.

Ajo ka thënë se në ditën e Pavarësisë nuk janë mbledhur vetëm për të festuar, por për të kujtuar sakrificën e popullit.

Tutje, ka shtuar se kjo protestë është zëri i atyre që nuk jetojnë më.

“Kam parë familje të poshtëruara, nëna që qanin fshehurazi, studentë të përndjekur vetëm pse ishin shqiptarë. Kam parë gra që i përcillnin bijtë në luftë me zemra të copëtuara por me kokën lartë. Ato nuk dolën në histori me tituj, por historia nuk do të ekzistonte pa to. Heshtja është dorëzim dhe ky popull nuk di të dorëzohet. Si shumë vajza dhe gra shqiptare e mora armën dhe dola në front. Jo pse e doja luftën por sepse e doja lirinë. Shtëpitë na u dogjën e fshatrat na u zbrazën. Një gjë nuk u dogj e as nuk u shua, dhe ai është shpirti i këtij populli”, ka thënë ajo.

Lirim Haziri i biri i Xhavit Hazirit, bashkëthemelues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i zhdukur që nga viti 1998, ka thënë se 17 shkurti nuk është vetëm festë, por është betim që nuk duhet lejuar që të përbaltet.

Në marshin “Drejtësi, jo politikë”, Haziri tha se nuk duhet të lejohet që sakrifica të barazohet me faj.

“Sot flas para jush si djali i Xhavit Hazirit, heroit të kombit, i zhdukur në vitin 1998. Një hero që doli për liri dhe nuk u kthye më kurrë… Ne sot të mbledhur këtu nuk jemi familje të ndara, por jemi një familje e madhe e sakrificës. Jemi familja e Rexhës, familja e baçit Jakup, familja e Veselit e familja e Hashimit. Sepse sakrifica e UÇK-së, nuk i përket vetëm një familjeje, i përket të gjithë kombit. Prandaj 17 shkurti nuk është vetëm festë, është betim që nuk e harrojmë sakrificën, betim që nuk lejojmë të përbalten luftëtarët tanë. Betim që nuk e ulim kokën para padrejtësisë. Nuk do të lejojmë që sakrifica të barazohet me faj.