Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme serioze në disa rajone të vendit. Ekipet komunale, zjarrfikësit dhe institucionet për mbrojtje dhe shpëtim po ndërhyjnë vazhdimisht në zonat kritike të rajoneve të Shkupit, Kumanovës, Tetovës dhe Gostivarit, ku janë regjistruar dalje lumenjsh nga shtrati, shtëpi të përmbytura, rrëshqitje dhe kanale kulluese të bllokuara.
Sipas informacioneve emergjente të Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK) deri në orën 17:00:
Rajoni i Shkupit – Komuna Saraj
Në fshatrat Bukoviq dhe Semenishtë janë ndërmarrë aktivitete të koordinuara për tejkalimin e situatës.
Në terren kanë intervenuar:
Komuna Saraj
Brigada e Zjarrfikësve e Qytetit të Shkupit
NP “Ujësjellës dhe Kanalizim” – Shkup
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim
Aktivitetet janë të fokusuara në pastrimin e zonave të prekura, kullimin e sipërfaqeve të përmbytura dhe krijimin e kushteve për normalizim gradual të situatës.
Rajoni i Kumanovës – Komuna Likovë
Lumi Sllupçanit ka dalë nga shtrati në fshatin Opajë, duke përmbytur një pjesë të fshatit, kryesisht toka bujqësore. Përmbytje janë regjistruar edhe në zonën e fshatit Orizare.
Deri më tani nuk ka raportime për dëme në banesa, përveç tokave bujqësore të përmbytura.
Në zonat e Kratovës dhe Kriva Pallankës nuk janë raportuar përmbytje.
Rajoni i Tetovës
Reshjet intensive gjatë natës kanë shkaktuar rritje të nivelit të ujërave dhe probleme me kanalet kulluese.
Është raportuar rrëshqitje dheu në rrugën Tetovë–Xhepçishtë (Gjermë); trafiku është ndërprerë.
Rruga drejt fshatit Jeduarcë është pastruar dhe është funksionale.
Janë pastruar kanale të bllokuara në Shemshovë dhe në drejtimin Trebosh–Jazhincë.
Rruga për në Kodrën e Diellit është e kalueshme, por në një segment prej rreth 4 km trafiku zhvillohet me vështirësi dhe në mënyrë të alternuar. Nga ora 07:45 është vendosur ndalim për qarkullimin e automjeteve të rënda dhe autobusëve në drejtimin Tetovë–Kodër e Diellit.
Aktualisht nuk ka rrezik nga lumenjtë më të mëdhenj, ndërsa furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm është i qëndrueshëm.
Rajoni i Gostivarit
Janë regjistruar përmbytje në komunat Gostivar, Vrapçishtë dhe Mavrovë–Rostushë.
Në Gostivar janë raportuar shtëpi, bodrume dhe objekte ekonomike të përmbytura.
Në fshatin Bellovishtë janë shpëtuar persona të bllokuar në një objekt të përmbytur.
Në Forinë është regjistruar dalje e Vardarit nga shtrati, me rrezik për shtëpitë pranë urës për në Tumçevishtë. Është angazhuar mekanizim për pastrimin e shtratit të lumit.
Rajoni Ohër–Kërçovë
Në Ohër situata është stabile, rrugët janë të kalueshme dhe nuk ka raportime për përmbytje.
Në Kërçovë, pas daljes nga shtrati të lumit Zajashka, janë përmbytur shtëpi dhe oborre në disa rrugë. Pas orës 12:00 janë raportuar edhe rreth 30 shtëpi familjare të përmbytura shtesë. Janë evakuuar persona të moshuar, të sëmurë dhe fëmijë nga objektet e përmbytura.
Drejtori i QMK-së, Muhamed Ali, informon se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme në koordinim me institucionet kompetente.
Megjithëse disa ndërhyrje realizohen në kushte të vështira për shkak të burimeve të kufizuara teknike, të gjitha shërbimet përkatëse janë në terren./TetovaNews















