Ballina Kronika Tragjedi në Malishevë/ Zjarr në banesë, babai dhe dy fëmijët humbin jetën...

Tragjedi në Malishevë/ Zjarr në banesë, babai dhe dy fëmijët humbin jetën nga asfiksia, të gjitha detajet

Në një tragjedi të rëndë në lagjen “Mirëdita” të Malishevës, kanë humbur jetën Ilir Berisha, 35 vjeç, së bashku me dy fëmijët e tij: vajza N.B. dhe djali K.B. të moshës 12 dhe 9 vjeç.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:55 në lagjen “Mirëdita”, ku si pasojë e një zjarri në një shtëpi, viktimat nuk kanë arritur të mbijetojnë.

Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe ekipeve emergjente, zjarri është lokalizuar, ndërsa në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë është konstatuar vdekja e tyre.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie të rëndë.

Tragjedia në Malishevë, prokurorja flet rreth rastit të vdekjes së 3 personave

Një qytetar dhe dy fëmijët e tij kanë vdekur sot, më 16.04.2026, në Malishevë.Viktimat dyshohet të kenë vdekur pas një zjarri që kishte shpërthyer në banesën ku ata jetonin, në një ndërtesë të banimit social.

Burime të KALLXO.com kanë konfirmuar se babai ishte 35-vjeçar, ndërsa dy fëmijët ishin të mitur, 9 dhe 12-vjeçar.
Ngjarja tragjike dyshohet se ka ndodhur rreth orës 13:00, ndërsa në vendin e ngjarjes aktualisht ndodhen Zjarrfikësit, Policia e Kosovës dhe njësitë hetuese.

Prokurorja e rastit, Ardita Beqiri-Hyseni, ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen, duke bërë të ditur se viktimat janë dërguar fillimisht në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

“Sot ka ndodhë ky rast dhe i kemi tre viktima, të cilat nga familjarët janë dërguar në QKMF dhe aty, kur kanë shkuar në QKMF, kanë qenë pa shenja jete.

Me urdhër të prokurorit, këta tre trupa janë dërguar për t’u bërë autopsia”- tha Beqiri-Hyseni.

Ajo theksoi se shkaqet ende nuk dihen, por se në vendin e ngjarjes janë angazhuar të gjitha njësitë relevante.

“Shkaqet akoma nuk dihen, mirëpo të gjitha njësitë janë në vend të ngjarjes dhe janë duke u marrë të gjitha veprimet që të vërtetohet shkaku i gjithë kësaj çka ka ndodhur”- theksoi ajo.

Tutje, prokurorja shtoi se në vendin e ngjarjes ende ka tym dhe se janë evidentuar shenja të zjarrit.

“Në vend të ngjarjes shihet se është në tërësi tym, ka pasur zjarr, por se si e qysh ju njoftojmë pasi ta marrim raportin nga ekspertët përkatës”- tha ajo.

Ndërkaq, lidhur me këtë rast ka folur edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, i cili ka bërë të ditur se banesat ku ka ndodhur tragjedia janë banesa sociale, të ndërtuara nga Komuna e Malishevës dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.“Kemi tre viktima, babanë me dy fëmijë, vajzën dhe djalin. Sapo kemi marrë informacionet, organet tona, policia, urgjenca dhe emergjenca, të gjitha njësitë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe stafi mjekësor e ka bërë të pamundurën, por në momentin që është bërë njoftimi paksa ka qenë ndoshta edhe i vonuar, janë gjetur pa shenja jete babai dhe dy fëmijët e vet”- tha Krasniqi.Ai shtoi se Policia dhe Prokuroria janë duke u marrë me hetimet dhe se institucionet lokale po kërkojnë zbardhjen sa më të shpejtë të rastit.

Tragjedia me 3 viktima në Kosovë, flet e afërmja që tentoi t’i shpëtonte: I mora fëmijët shpejt, por nuk kishin shenja jete

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë, në qytetin e Malishevës, ku kanë humbur jetën babai 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij, të moshës 9 dhe 12 vjeç. Dyshimet e para janë se shkaku i kësaj tragjedie është një zjarr në brendësi të banesës.

Në lidhje me ngjarjen ka folur një e afërme e familjes. Ajo tregon momentet e para të ngjarjes, ku zbulon se dy fëmijët ishin nisur të pajetë drejt spitalit.

“Kur dola te dera ishin fëmijët në duart e kunatës. Nuk di shumë, por u mundova të shikoj nëse kanë puls, nuk kishin shenja jete. I mora fëmijët shpejt, i futa në makinë dhe i dërgova shpejt. Kaq ndodhi, nuk mundem më shumë. Nuk munda as t’i puth, as t’i përqafoj për herë të fundit.

Më janë dhimbsur shumë. Babain e djemve e kam djalë të dajës, dy fëmijët i kam pasur si të mitë. Jam në gjendje shumë të keqe. Fëmijët ishin pa shenja jete. Nuk kishin puls, ishin komplet të zverdhur”,shprehet ajo.

Prokurorja e rastit, Ardita Beqiraj Hyseni u shpreh se ka pasur zjarrvënie, por ende shkaktarët nuk dihen saktë.

“Shkaqet akoma nuk dihen, të gjitha ekipet janë në vend të ngjarjes. Eksperti i zjarrit është në vendin e ngjarjes. Në vend të ngjarjes ka tym e ka pas zjarrvënie, por se si ka ndodhur nuk dihet ende”, tha prokurorja.