Deputetja e koalicionit VLEN, Imerlije Saliu, ka njoftuar se këtë vit po kryen Haxhin, një nga obligimet më të rëndësishme fetare për besimtarët myslimanë.
Përmes një postimi nga vendet e shenjta në Arabinë Saudite, Saliu ka ndarë emocionet dhe reflektimet e saj nga ky rrugëtim shpirtëror, duke shprehur mirënjohje që iu dha mundësia t’i përgjigjet thirrjes hyjnore.
Ajo ka veçuar përjetimin në Arafat, vend që në traditën islame konsiderohet si vendi i takimit të parë mes Ademit dhe Havasë, duke theksuar se aty njeriu e kupton më thellë përkohshmërinë e kësaj bote dhe madhështinë e Krijuesit.
Deputetja ka bërë të ditur se, ndonëse kishte mundësinë ta kryente Haxhin në kushte më komode, zgjodhi ta përjetojë si çdo besimtar tjetër, pasi sipas saj, Arafati e rikujton fuqishëm barazinë e njerëzve para Zotit, pa dallim pozite, pasurie, kombi apo titulli.
Në fund të mesazhit të saj, ajo është lutur që Allahu t’i pranojë lutjet e besimtarëve dhe t’i mbulojë me faljen e Tij, duke kujtuar edhe thënien e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të): “Haxhi është Arafat”.
STATUSI I PLOTË I IMERLIJE SALIUT:
“Falë mirësisë së Zotit, sivjet mu dha mundësia t’i përgjigjem thirrjes hyjnore për rrugëtimin më të bukur dhe më madhështor shpirtëror:
‘Lebbejke Allahumme Lebbejk, Lebbejke la sherike leke Lebbejk…’ (Të përgjigjem, o Allah, të përgjigjem Ty. Ti je i pashoq.)
Sonte, në Arafat, vendi që në islam njihet si vendi i takimit të parë mes Ademit dhe Hava-s, njeriu e kupton më thellë se sa e vogël është kjo botë përballë madhështisë së Krijuesit.
Lus Allahun që nga kjo natë të dalim me lutje të pranuara, me zemra të qeta dhe me faljen e Tij mbi ne.
Edhe pse kisha mundësinë ta përjetoja Haxhin në rrethana shumë më komode, zgjodha ta përjetoj si çdo besimtar tjetër, sepse Arafati ta rikujton fuqishëm se para Zotit nuk ka dallim pozite, pasurie, kombi apo titulli, aty të gjithë qëndrojmë njësoj, vetëm si robër të Zotit.
‘Haxhi është Arafat’ (El-haxhu Arefat)
Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të)”















