Mënyra se si puna dhe përmbajtja juaj shfaqen në një botë të dominuar nga teknologjia digjitale po ndryshon me shpejtësi marramendëse, duke filluar me rënien drastike të trafikut që vjen nga Google Search.
Pse ka rëndësi: Google praktikisht ka ndaluar së dërguari përdorues në faqet e internetit — përfshirë edhe faqen tonë — për të gjetur përgjigje dhe informacione. Në vend të kësaj, po përdor inteligjencën artificiale për t’ua dhënë përgjigjet drejtpërdrejt përdoruesve në platformën e vet dhe me formulimet e veta.
Të dhënat e kompanisë Chartbeat, të ndara me Axios, tregojnë se trafiku që Google Search u dërgon botuesve ka rënë me 34 për qind gjatë vitit të fundit.
Pasojat janë më të rënda për botuesit më të vegjël. Gjatë dy viteve të fundit, botuesit e vegjël kanë humbur 60 për qind të referimeve të përgjithshme nga motorët e kërkimit, botuesit e mesëm 47 për qind, ndërsa botuesit e mëdhenj 22 për qind.
Kjo është një goditje e rëndë për të gjithë ne që veprojmë në internet, sepse njerëzit që bëjnë kërkime zakonisht mbërrijnë në një faqe me nevoja dhe synime të caktuara. Për këtë arsye, ata kanë tendencë të jenë më të vlefshëm sesa një vizitor i rastësishëm që vjen nga X ose Facebook.
Në të njëjtën kohë, LinkedIn, Reddit dhe platforma të tjera gjigante po mbushen me përmbajtje të krijuara nga inteligjenca artificiale, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin nga të tjerët, por edhe përcaktimin se çfarë është e vërtetë dhe çfarë është e rreme.
Në këtë kuadër, Substack javën e kaluar njoftoi një partneritet me Pangram, një program për zbulimin e përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale. Kompania e përmendi posaçërisht LinkedIn-in, duke argumentuar se “platformat që shpërblejnë falsitetin do të krijojnë një garë drejt nivelit më të ulët”.
Mes rreshtave: Çdo person i zgjuar, aktiviteti i të cilit zhvillohet kryesisht në internet, tashmë po përgatitet për kalimin drejt një bote të dominuar nga modelet e mëdha gjuhësore, të ngjashme me ChatGPT-në.
Gjithçka fillon me GEO-në — termin që përdoret për përshtatjen e përmbajtjeve në mënyrë që ato të shfaqen brenda modeleve të mëdha gjuhësore, si Claude dhe ChatGPT.
Kjo është forma moderne e SEO-s, pra optimizimit për motorët e kërkimit. Është ende një fushë e re dhe funksionimi i saj mbetet kryesisht një “kuti e zezë”. Megjithatë, nuk ka kohë për të humbur.
E ardhmja: Teoria ime është se të gjithë ne do të duhet ta rimendojmë dhe ta riformatojmë përmbajtjen tonë, në mënyrë që ajo t’u përgjigjet njëkohësisht nevojave të njerëzve dhe të inteligjencës artificiale.
Rezulton se formati ynë “Smart Brevity” — pika më e rëndësishme në fillim, konteksti më pas dhe informacionet e renditura sipas rëndësisë, shpesh në formë pikash — funksionon jashtëzakonisht mirë me inteligjencën artificiale.
Ne jemi ndër botuesit që shfaqen më shpesh nga modelet kryesore të mëdha gjuhësore, prandaj po punojmë me kompani të ndryshme për të parë nëse edhe ato mund të arrijnë rezultate të ngjashme.
Është thelbësore që këtij problemi t’i paraprijmë. Në Axios tashmë po përpiqemi të kuptojmë se si mund:
- të shfaqemi brenda modeleve të mëdha gjuhësore që tani;
- ta përmirësojmë këtë pozicionim;
- ta zvogëlojmë varësinë nga motorët e kërkimit dhe interneti i hapur;
- të lidhemi me audiencën në një botë pas internetit të hapur. Marrëdhëniet e drejtpërdrejta përmes buletineve elektronike dhe ngjarjeve janë një fillim i mirë.
Çfarë vjen më pas: Vala e agjentëve të inteligjencës artificiale po afron. Botuesit më largpamës kryesisht kanë ndaluar së trajtuari motorët e IA-së si burim referimesh dhe tani i konsiderojnë ato si një shtresë të re shpërndarjeje.
Së shpejti, “klienti” që lexon një faqe interneti, krahason çmimet dhe informohet për një produkt, shpesh do të jetë agjenti i inteligjencës artificiale i dikujt, i cili do të veprojë si ndërmjetës./Axios















