Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, shtetasi amerikan Min Zin (U Min Zin), i cili po mbahet i ndaluar, u zhduk pasi kishte udhëtuar në provincën Yunnan të Kinës, me ftesë të qeverisë kineze, për të marrë pjesë në një konferencë akademike.
Të enjten, Departamenti amerikan i Shtetit përcaktoi zyrtarisht se një studiues amerikan, i arrestuar në Kinë në qershor nën akuza për spiunazh, po mbahet në mënyrë të padrejtë.
Departamenti i Shtetit tha se shtetasi amerikan i ndaluar quhet Min Zin (U Min Zin) dhe se ai u zhduk pasi kishte shkuar në provincën Yunnan, me ftesë të qeverisë kineze, për të marrë pjesë në një konferencë akademike.
“Ne i bëjmë thirrje Pekinit të lirojë të gjithë shtetasit amerikanë që mbahen arbitrarisht në Kinë ose të cilëve u është ndaluar largimi nga vendi”, shkroi në rrjetet sociale Dylan Johnson, ndihmëssekretar i Shtetit për Çështjet Globale. “Siguria dhe mbrojtja e shtetasve amerikanë është prioriteti kryesor i Departamentit të Shtetit.”
Ky përcaktim zyrtar vjen rreth një muaj përpara se presidenti Trump pritet të presë presidentin kinez Xi Jinping për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara. Më herët këtë pranverë, Trump kishte vizituar Pekinin.
Ndërkohë, pasi Trump dhe Pentagoni kohët e fundit reduktuan stërvitjet e mëdha ushtarake me Korenë e Jugut, aleatët amerikanë në rajonin e Azi-Paqësorit janë gjithnjë e më të shqetësuar nëse Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’i ndihmojnë ata të përballen me kërcënimet nga Kina dhe partnerët e saj.
Min Zin është politolog dhe gjithashtu drejtor ekzekutiv i një organizate për strategji dhe politika. Organizata u themelua në Mianmar, por e zhvendosi selinë pas grushtit ushtarak të shtetit në vitin 2021. Provinca kineze ku ai u ndalua kufizohet me Mianmarin.
Min Zin jeton në Tajlandë dhe ka shkruar më parë për faqet e opinionit të The New York Times dhe të mediave të tjera amerikane për politikën e Mianmarit.
Më pak se dy javë përpara arrestimit të tij, presidenti i Mianmarit, Min Aung Hlaing, kishte zhvilluar një vizitë pesëditore në Kinë. Më pak se tri javë përpara arrestimit të tij, Trump kishte zhvilluar një vizitë shtetërore në Pekin.
Që prej rikthimit në Zyrën Ovale, Trump ka mbajtur një qëndrim më të butë ndaj Kinës, në përpjekje për të arritur atë që zyrtarët e administratave Trump dhe Xi e kanë quajtur “stabilitet strategjik konstruktiv” mes dy fuqive ekonomike dhe ushtarake. Arrestimi i Min Zinit e ndërlikon këtë proces.
Aktualisht, ai është një nga vetëm dy shtetas amerikanë që Departamenti i Shtetit i ka shpallur zyrtarisht si persona që mbahen padrejtësisht në Kinë.
Tjetri është sizmologu Youlin Chen, i cili u ndalua në vitin 2024 në një aeroport të Pekinit, teksa përpiqej të kthehej në Shtetet e Bashkuara.
Sipas rregulloreve amerikane, qeveria e SHBA-së është e detyruar t’i trajtojë personat që ajo i shpall si të ndaluar padrejtësisht jashtë vendit si pengje të një qeverie të huaj dhe të punojë për sigurimin e lirimit të tyre.
Këto çështje i kalohen të dërguarit të posaçëm presidencial për çështjet e pengjeve, ndërsa komisionet përkatëse të Kongresit njoftohen dhe marrin rregullisht informacione të përditësuara.
Familja e Youlin Chenit tha këtë vit se Trump ia kishte ngritur çështjen e tij Xi Jinpingut kur dy udhëheqësit u takuan në Pekin.
Organizata që drejton Min Zin, Myanmar Institute for Strategy and Policy, përshëndeti vendimin e Departamentit amerikan të Shtetit dhe i bëri thirrje administratës Trump që ndalimin e Min Zinit ta trajtojë si “prioritet të dorës së parë, veçanërisht përpara vizitës së presidentit Xi në Shtetet e Bashkuara muajin e ardhshëm dhe takimit të tij me presidentin Trump”.
“Ky përcaktim rikonfirmon gjithashtu se studiuesit dhe akademikët e pavarur, të cilët punojnë duke përdorur burime të hapura, duhet të jenë në gjendje ta kryejnë punën e tyre pa pasur frikë nga kërcënimet apo ndalimet arbitrare”, tha organizata në një deklaratë./NYT















