Një fëmijë 12-vjeçar humbi jetën pasi ra në lumin Botan, në provincën Siirt të Turqisë, ndërsa babai i tij, i cili u hodh në ujë për ta shpëtuar, u mor nga rrjedha dhe rezulton i zhdukur.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ndodhi në orët e mbrëmjes, pranë Urës Botan, në rrugën Siirt–Eruh.
F.S., 12 vjeç, humbi ekuilibrin dhe ra në lumin Botan.
Pasi e pa çfarë kishte ndodhur, babai i tij, Ö.S., u hodh menjëherë në ujë për ta shpëtuar të birin, por u përfshi nga rrjedha e fuqishme dhe u zhduk.
Pas njoftimit të qytetarëve, në vendngjarje u dërguan ekipet e Ndihmës së Shpejtë 112, Agjencisë për Menaxhimin e Fatkeqësive dhe Emergjencave – AFAD, Njësisë Kombëtare të Shpëtimit Mjekësor – UMKE, xhandarmërisë dhe zhytësit e zjarrfikësve të Komunës së Siirtit.
Ekipet e nxorën 12-vjeçarin nga uji, por konstatuan se ai kishte humbur jetën.
Trupi i pajetë i fëmijës, pas këqyrjes nga prokurori, u dërgua në morgun e Spitalit të Edukimit dhe Kërkimit në Siirt.
Operacioni për gjetjen e babait të zhdukur u ndërpre për shkak të errësirës.
Autoritetet njoftuan se kërkimet do të rifillojnë në orët e hershme të mëngjesit./NTV
















