Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike të Shkupit kundër 27 personave, mes tyre edhe një e punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, për shkak të dyshimit se kanë kryer disa vepra penale që lidhen me futjen e paligjshme të kategorive në patentë-shoferë, lëshimin dhe përdorimin e tyre.
Gjatë masave dhe aktiviteteve të ndërmarra nga Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale janë konstatuar keqpërdorime në procedurat për lëshimin e patentë-shoferëve, përmes ndryshimeve të paligjshme të të dhënave në sistemin elektronik dhe lëshimit të dokumenteve publike me përmbajtje të pavërtetë.
Nga personat e kallëzuar, një e punësuar në Njësinë për Punë Administrative në Shkup dyshohet se, në periudhën nga 03.09.2020 deri më 24.08.2026, duke përdorur kodin e saj zyrtar dhe autorizimet zyrtare në sistemin elektronik, në mënyrë të paligjshme ka ndryshuar kërkesat e krijuara më parë për lëshimin e patentë-shoferëve nga punonjës të tjerë, ndërsa në raste të caktuara i ka hedhur poshtë kërkesat tashmë të formuara dhe ka krijuar kërkesa të reja, në të cilat ka futur kategori për të cilat aplikuesit nuk i plotësonin kushtet ligjore.
Pas ndryshimeve të bëra, kërkesat janë miratuar dhe janë lëshuar patentë-shoferë me përmbajtje të pavërtetë.
Më herët, në periudhën nga 11.02.2021 deri më 11.04.2021, e njëjta person ishte larguar nga vendi i punës, ndërsa më pas edhe nga Ministria e Punëve të Brendshme, për shkak të një kallëzimi penal të ngritur për vepra penale të kryera gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, që kishin të bënin me keqpërdorime në procedurat për lëshimin e dokumenteve personale.
Më 15.01.2025, në bazë të një vendimi gjyqësor, ajo ishte rikthyer në vendin e punës në Njësinë për Punë Administrative në Shkup.
Me këtë mënyrë veprimi të paligjshëm, 21 personave u janë lëshuar patentë-shoferë me kategori të futura në mënyrë të paligjshme, ndërsa në një rast veprimi ka mbetur në tentativë.
Në tri raste, kërkesat e krijuara më parë janë hedhur poshtë, pas së cilës janë formuar kërkesa të reja, në të cilat sërish janë futur kategori për të cilat nuk ishin plotësuar kushtet ligjore.
Gjatë hetimit është konstatuar se katër persona kanë vepruar si ndërmjetësues dhe, në marrëveshje dhe bashkëveprim me të punësuarën në MPB, kanë ndërmjetësuar për lëshimin e paligjshëm të patentë-shoferëve.
Ata kanë gjetur persona të interesuar, i kanë lidhur me personin zyrtar dhe e kanë koordinuar procedurën deri te futja dhe miratimi i paligjshëm i kategorive në sistemin elektronik dhe lëshimi i patentë-shoferëve.
Pas masave të ndërmarra, ndaj të punësuarës në MPB ekzistojnë baza dyshimi për 22 vepra penale “Falsifikim i dokumentit”, sipas nenit 378 të Kodit Penal, si dhe për një vepër penale “Falsifikim i dokumentit” në tentativë, sipas nenit 378 në lidhje me nenin 19 të Kodit Penal.
Një pjesë e personave të tjerë të kallëzuar, në marrëveshje dhe bashkëveprim me të punësuarën, kanë marrë pjesë në procedurat për lëshimin e paligjshëm të patentë-shoferëve dhe dyshohen për veprën penale “Falsifikim i dokumentit” në bashkëkryerje, sipas nenit 378 në lidhje me nenin 22 të Kodit Penal, ndërsa për një vepër penale të së njëjtës natyrë në tentativë, sipas nenit 378 në lidhje me nenet 22 dhe 19 të Kodit Penal.
Personat të cilëve u janë lëshuar patentë-shoferët, edhe pse nuk i plotësonin kushtet ligjore për kategoritë përkatëse, i kanë nisur procedurat duke paraqitur kërkesa, pas së cilës kategoritë janë futur dhe miratuar në mënyrë të paligjshme në sistemin elektronik.
Edhe ndaj tyre ekzistojnë baza dyshimi për veprën penale “Falsifikim i dokumentit” në bashkëkryerje.
Përveç kësaj, gjashtë persona i kanë përdorur patentë-shoferët e lëshuar në këtë mënyrë gjatë kalimit të kufirit shtetëror.
Dy prej tyre i kanë përdorur këto patentë-shoferë edhe në procedura për marrjen e certifikatave të kompetencës profesionale për shoferë në transportin ndërkombëtar të udhëtarëve dhe mallrave, me ç’rast kanë siguruar certifikata të lëshuara nga Ministria e Transportit.
Për këto veprime ekzistojnë baza dyshimi për gjashtë vepra penale “Përdorim i dokumentit me përmbajtje të pavërtetë”, sipas nenit 380 të Kodit Penal.
Në një rast, procedura për futjen e paligjshme të një kategorie nuk është përfunduar, ndaj ekzistojnë baza dyshimi për veprën penale “Falsifikim i dokumentit” në tentativë dhe në bashkëkryerje.
Për parregullsitë e konstatuara, Departamenti për Kontroll të Brendshëm, Hetime Kriminalistike dhe Standarde Profesionale e ka njoftuar Ministrinë e Transportit – Sektorin për Komunikacion Rrugor dhe Infrastrukturë, me kërkesë për mbikëqyrje të jashtëzakonshme ndaj personave juridikë që kryejnë trajnime ose ndërmjetësojnë në lëshimin e certifikatave të kompetencës profesionale.
Gjithashtu është kërkuar rishqyrtimi i ligjshmërisë së certifikatave tashmë të lëshuara dhe ndërmarrja e masave përkatëse në përputhje me ligjin.
Në kuadër të masave të ndërmarra, kundër të punësuarës në MPB do të paraqitet edhe propozim për fillimin e procedurës për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore, ndërsa do t’i shqiptohet edhe masa e detyrueshme e largimit, përkatësisht pezullimit nga vendi i punës, deri në përfundimin e procedurës disiplinore./TN















