Banorët e Divjakës u ngritën për të 37-tën ditë në protestë kundër shkrirjes së bashkisë dhe bashkimit me atë të Lushnjes, në kuadër të projektit të Partisë Socialiste për Reformën Administrative Territoriale.
Qytetarët u mblodhën në sheshin kryesor. Në fjalët e tyre, ata kërkuan llogari nga deputetët si dhe kryeministri, duke thënë se Divjaka nuk meriton që të mbetet pa një institucion kryesor.
Një prej tyre theksoi se jo vetëm që nuk duhet ta lejojnë shkrirjen, por shtoi se duhet të punojnë për ta zhvilluar dhe fuqizuar më shumë.
“Kjo bashki e vogël si e Divjakës, por me njerëz të mëdhenj, me dinjitet, që deri më sot i ka përmbushur detyrat e saj dhe ne duam me gjithë zemër të vazhdojmë dhe ta zhvillojmë dhe të fuqizohet më tepër.”, tha një qytetar.
Një qytetar tjetër shënjestroi kryeministrin duke thënë:
“Kryeministri ia ka shtuar hallet qytetarit të Divjakës. Kërkon të shpopullojë të gjithë Shqipërinë. Është faj që të ikin djemtë nga Divjaka, të emigrojnë dhe të lënë tokën e tyre. Është injorancë dhe pabesi. Divjakës nuk i ke ngulur thikën pas shpine por vetvetes.”, tha ai.















