INCIDENT NË AVION
Dramë në fluturimin për Zagreb: Filloi të prekte vajzën (15), ajo thirri në heshtje stjuardesën dhe i tregoi ekranin e celularit…
Drama rezultoi me arrestimin e një shtetasi të Maqedonisë së Veriut
Shkruan: Marin Dešković
Në një fluturim ndërkombëtar për në Aeroportin e Zagrebit, para disa ditësh po zhvillohej një dramë e vërtetë, e cila në fund rezultoi me arrestimin e një shtetasi 65-vjeçar të Maqedonisë së Veriut, për shkak të akuzave për abuzim seksual të një fëmije.
Rrethanat në të cilat u zbulua ngjarja janë edhe më të pabesueshme.
Në fakt, vajza 15-vjeçare, e cila po udhëtonte e vetme për në Zagreb, në një moment thirri stjuardesën dhe i tha që të shikonte diçka në celularin e saj. Kur stjuardesa e mori pajisjen, në ekran shkruhej:
“Kam shumë frikë nga ky njeri, a mund të më ndihmoni në ndonjë mënyrë?”
Duke e pranuar lojën dhe duke u shtirur e painteresuar, stjuardesa i tha vajzës se do t’i tregonte se ku ishte tualeti dhe e çoi deri te kabina e pilotëve. Vajza atje tregoi se, që në pistë gjatë nisjes, një burrë i panjohur më i moshuar, i cili kishte ulësen pranë saj, kishte filluar ta prekte në organet gjenitale, duke u shtirur sikur po e ndihmonte të vendoste rripin e sigurisë.
Menjëherë nga kabina e pilotëve u telefonua kulla e kontrollit e Aeroportit të Zagrebit, kështu që 65-vjeçarin nga Maqedonia e Veriut, gjatë zbritjes nga avioni në “Franjo Tuđman”, e priti policia dhe e ftoi të shkonte me ta që të bisedonin për diçka.
Megjithatë, historia me policinë përfundoi si një hetim kriminalistik dhe, nga aeroporti, ai përfundoi në policinë kriminale, më pas në Prokurorinë Komunale të Shtetit, pastaj në gjykatë dhe, në fund, në Remetinec.
Gjatë marrjes në pyetje ai i hodhi poshtë akuzat, të cilat prokurorët i kishin kualifikuar si veprime të turpshme seksuale, dhe deklaroi se nuk e kishte prekur fare vajzën, por vetëm se ia kishte dhënë rripin në mënyrë që ajo të mund të lidhej./Jutarnji list















