Ballina Kultura LEGJENDA E GJERGJ ELEZ ALISË

LEGJENDA E GJERGJ ELEZ ALISË

Nga Xhelal Zejneli

Kënga epike e Gjergj Elez Alisë u regjistrua nga mbledhësit e folklorit dhe nga klerikët e njohur françeskanë – poeti, muzikanti dhe mbledhësi i folklorit At Bernardin Palaj (Shkodër, 1894 – 1946) dhe frati, edukatori, studiuesi dhe folkloristi shqiptar Donat Kurti (Shkodër, 1903-1983) në Nikaj të Tropojës. Varianti i regjistruar u botua në Tiranë në vitin 1937, duke e sjellë këngën nga tradita gojore në atë të shkruar.  

Shënim: Bernardin Palaj u arrestua nga regjimi komunist më 22 tetor 1946. U mbyll në burgun e Shkodrës.  Vdiq në burg nga torturat, më 02 dhjetor 1946. Më 5 nëntor 2016 Papa Françesku (1936-2025) e shpalli pjesë të 38 martirëve shqiptarë të rënë për fe dhe për atdhe.  

*   *   *

Legjenda e Gjergj Elez Alisë është një nga krahët më të fuqishëm dhe më prekës të eposit të kreshnikëve. Simbolizon sakrificën sublime, nderin familjar, dashurinë vëllazërore dhe qëndresën e shqiptarëve ndaj pushtuesve të huaj.  

Nëntë plagët dhe dergjja në shtrat – Gjergj Elez Alia ishte malësor, trim i madh. Në luftërat e tij kundër pushtuesve të huaj kishte marrë në trup nëntë plagë të rënda. Nëntë vjet me radhë, u dergj në shtratin e vdekjes. Prindërit i kishin vdekur. I vetmi person që i qëndroi  natë e ditë pranë, ishte e motra. Ajo ia lante plagët me lot dhe ia fshinte me flokët e saj.  

Kërcënimi i Bajlozit të Zi – Pas nëntë vjetësh doli  nga deti një përbindësh i zi apo një trim i prapë i quajtur Bajloz i Zi. Ai filloi ta shkatërronte vendin, t’i digjte shtëpitë, t’i merrte djemtë e rinj si skllevër dhe t’i vriste trimat që guxonin t’i dilnin përballë. Për ta ndalur masakrën, kërkoi që çdo familje t’i jepte para dhe një vajzë të re. Kur i erdhi radha shtëpisë së Gjergjit, Bajlozi ia kërkoi motrën.  

Video bonus

Nderi – Motra nisi të qajë mu pranë kokës së të vëllait. Kishte frikë për fatin e saj. Pa të, kush do të kujdesej për Gjergjin e rënduar prej plagëve. I prekur në nder dhe i mbushur me dashuri për motrën, Gjergji mori një forcë mbinatyrore. Kërkoi nga motra të shkonte te nallbani-probatin për t’i mbathur kalin e luftës apo gjokun. Ndonëse armët i ishin ndryshkur, ai i përgatiti ato dhe u bë gati për dyluftim.  

Dyluftimi – Të nesërmen, Gjergj Elez Alia doli në logun e luftës përballë Bajlozit të Zi. Ma t’ia parë trupin e dërmuar, ai e nënçmoi. Gjergji ia bëri me dije se me nderi dhe me trimëria s’bëhet dot lojë. Pas një përleshjeje të ashpër, Gjergji arriti ta godiste dhe ta vriste Bajlozin e Zi, duke çliruar vendin nga tmerri. 

Me ta fituar dyluftimin dhe me ta mbrojtur nderin e motrës dhe të atdheut, Gjergji u kthye në shtëpi. Nga gëzimi dhe lehtësimi, motër e vëlla u përqafuan. Në atë çast, nga dhimbja e grumbulluar dhe energjia e harxhuar, zemrat e tyre pushuan së rrahuri në të njëjtin çast. Trupat e tyre u varrosën në një varr të përbashkët. 

Motivet kryesore të legjendës janë besa, nderi familjar, kujdesi dhe sakrifica e motrës për vëllain.  

*   *   *

Legjenda e Gjergj Elez Alisë mjihet edhe te myslimanët në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Sanxhak dhe te goranët. Atje njihet me emrin Gjerzelez Alija apo Gerzelez, Erzelez. Konsiderohet hero i këngëve popullore dhe i gojëdhënave.