Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vazhdim të punës hetimore lidhur me procedimin penal nr.300/1 të vitit 2021, në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore me Prokurorinë e Bambergut Gjermani, ekzekutoi 8 nga 11 masat e sigurisë ndaj shtetasve shqiptarë, të dyshuar si pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal, që merrej me veprimtarinë e paligjshme të mashtrimit kompjuterik përmes shitjeve online.
Masat e sigurimit të ekzekutuara janë si vijon:
Gj, G.Sh dhe E.P – “Arrest me burg”, si persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale;“Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, në dëm të disa personave, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Gj. K. B. dhe I.G – “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, të dyshuar për vepren penale të “Mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Grup i struktuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal.
Gj dhe Dh.L – “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”, parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, si të dyshuar për veprat penale të “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 143/b paragrafi 2 të Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar e regjistroi procedimin penal nr.300, më datë 9.12.2021 për veprat penale: “Mashtrim kopjuterik”, të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar si vepër penale nga nenet 143/b, 28/4, 333/a dhe 334 të Kodit Penal.
Mbi bazën e kërkesës për ndihmë juridike të autoriteteve gjermane të drejtësisë, përkatësisht, Zyrës së Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg dhe në zbatim të Vendimeve të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) më 16.3.2022 janë kryer kontrolle në ambjentet e subjektit “Bluenergycall shpk” dhe subjekteve të lidhura me të.
Skema e mashtrimit
Nga provat materiale të sekuestruara dhe nga aktet e fashikullit të procedimit penal nr.300 të vitit 2021, të përpunuara në bashkëpunim me autoritetet gjyqësore gjermane, ka rezultuar se shtetasit gjermanë dhe shtetasë të tjerë europianë ftoheshin nga agjentët e “Bluenergycall shpk” për të investuar në bursa ndërkombëtare përmes depozitimit të parave në platforma mashtruese. Depozitimet e parave bëheshin në llogari bankare të vendeve të ndryshme si; Bullgari, Lituani, Poloni, Qipro etj, në vende të tjera europiane dhe më gjerë dhe më pas zhdukeshin përmes transfertave të njëpasnjëshme ose konvertimit në kriptovalutë. Gjithashtu është vërtetuar se mashtrimet janë kryer përmes dy adresave IP, të përdorura nga subjekti “Bluenergycall shpk”, në Shqipëri. Gjatë kontrollit të kryer në datë 16.3.2022, janë ekstraktuar të dhënat elektronike të drejtpërdrejta që janë analizuar nga autoritetet gjermane të drejtësisë dhe konkretisht, nga Zyra e Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg për krimet kibernetike.
Në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria e Posaçme ka dërguar fillimisht për gjykim pronarin, IT-në e qendrës së thirrjeve, “Bluenergycall shpk”, të akuzuar për kryerjen e veprës penale; “Mashtrim kompjuterik”, në bashkëpunimin, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Krijimit dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 143/b/2, 28/4, 333/a/1 dhe 334/1 të Kodit Penal, si dhe 11 shtetasë të tjerë, të akuzuar vetëm për kryerjen e veprës penale: “Pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a, paragrafi i dytë i Kodit Penal. (shiko njoftimin datë 16.6.2023)
Hetimet për personat e paidentifikuar, të përfshirë në këtë veprimtarinë vazhduan në kuadër të procedimit të ndarë 300/1 të vitit 2021.
Masat sigurimit të ekzekutuara ditën e djeshme, janë rezultai i një pune voluminoze për analizimin e hollësishëm të të dhënave komputerike, të krahasuara edhe me prova të tjera fizike, si edhe kontrolleve të përmendura më sipër, përmes të cilëve është mundësuar identifikimi i anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal.















