Ballina Kronika Radusha në zi: Nesër varroset Muhamed Mejdi, 27-vjeçari i vrarë në Berlin

Radusha në zi: Nesër varroset Muhamed Mejdi, 27-vjeçari i vrarë në Berlin

Radusha do t’i japë të shtunën, më 12 shtator, lamtumirën e fundit 27-vjeçarit Muhamed Mejdi, i cili u vra me armë zjarri në orët e para të 7 shtatorit në Berlin. Varrimi do të bëhet pas namazit të Ikindisë në fshatin Radushë. Ndërkohë, autoritetet gjermane vazhdojnë kërkimet për autorët e vrasjes.

Muhamed Mejdi, 27-vjeçari nga Radusha që humbi jetën pas një sulmi me armë zjarri në Berlin, do të varroset nesër, të shtunën, më 12 shtator 2026, në vendlindjen e tij.

Njoftimi është bërë publik nga faqja “Fshati Radushë”, e cila ka bërë të ditur edhe identitetin e plotë të të riut.

“Të nderuar bashkëfshatarë, edhe një herë ju informojmë, me pikëllim të thellë dhe dhimbje të madhe, se ka ndërruar jetë Muhamed Mejdi (27), djali i Avdil Mejdi (Baci). Radusha është e tronditur dhe në mërzi të madhe”, thuhet në njoftim.

Sipas të njëjtit njoftim, varrimi do të bëhet pas namazit të Ikindisë në Radushë.

“Lusim Allahun Fuqiplotë që Muhamedin ta falë, ta mëshirojë dhe ta kaplojë me rahmetin e Tij të pafundëm. Familjarëve Allahu ju dhashtë sabër për ta tejkaluar këtë sprovë”, thuhet më tej në njoftimin mortor.

U vra në orët e para të 7 shtatorit

Muhamed Mejdi u vra në orët e para të së hënës, më 7 shtator, në zonën Neukölln të Berlinit.

Publicitet

Sipas Policisë dhe Prokurorisë së Berlinit, sulmi ndodhi ndërmjet orës 02:30 dhe 02:45, në zonën e kryqëzimit Planetenstraße–Sonnenallee. Ndaj 27-vjeçarit u qëllua disa herë me armë zjarri.

Ai u plagos për vdekje dhe, pavarësisht përpjekjeve për reanimim në vendngjarje, nuk mundi të shpëtohej.

Hetimin e ka marrë Komisioni i 5-të i Vrasjeve i Zyrës së Kriminalistikës së Berlinit, në bashkëpunim me Prokurorinë.

Muhamed Mejdi

Policia: Të paktën dy persona morën pjesë në vrasje

Një ditë pas ngjarjes, më 8 shtator, Policia e Berlinit publikoi të dhëna të reja nga hetimet dhe kërkoi ndihmën e dëshmitarëve.

Sipas autoriteteve gjermane, në vrasje morën pjesë të paktën dy burra. Pas të shtënave, ata dyshohet se hipën si pasagjerë në një automjet të errët, i cili u largua përgjatë Sonnenallee në drejtim të Baumschulenweg.

Policia publikoi edhe përshkrimet e dy personave të dyshuar. Njëri përshkruhet si rreth 20–30 vjeç, 170–175 centimetra i gjatë, me trup të hollë, flokë të shkurtër të zinj dhe kaçurrela, si dhe mjekër në mjekër dhe mbi buzën e sipërme. I dyshuari i dytë përshkruhet po ashtu si 20–30 vjeç, pak më i gjatë se 175 centimetra dhe me trup më të plotë.

Të dy mbanin veshje të errëta, ndërsa policia nuk përjashton mundësinë që njëri ose të dy të kenë qenë të maskuar.

Autoritetet u kanë bërë thirrje personave që mund ta kenë parë ngjarjen, që posedojnë fotografi ose video, apo që kanë informacione për automjetin e arratisjes, të kontaktojnë hetuesit.

Motivi i vrasjes ende nuk është bërë publik, ndërsa autoritetet gjermane vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Vdekja tragjike e 27-vjeçarit ka tronditur Radushën, ku familjarë, miq, të afërm dhe bashkëfshatarë pritet të mblidhen të shtunën për t’i dhënë lamtumirën e fundit Muhamed Mejdit./Tetova News