Qendrat gjigante kompjuterike që fuqizojnë inteligjencën artificiale po hasin gjithnjë e më shumë kundërshtim nga komunitetet në të gjithë Shtetet e Bashkuara, një sinjal i shqetësimit të votuesve për një ekonomi që po ndryshon me shpejtësi.
Presidenti Donald Trump sulmoi të hënën komunitetet që po protestojnë kundër qendrave të të dhënave, duke sugjeruar se banorët që nuk duan t’i bashkohen revolucionit të inteligjencës artificiale duhet të preferojnë të jenë “të prapambetur dhe të varfër”.
“E vetmja arsye pse komunitetet në të gjithë SHBA-në nuk duhet t’i duan qendrat e të dhënave është nëse duan të përfundojnë të prapambetur dhe të varfër”, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
“Nëse duan të jenë të suksesshëm dhe të pasur, me taksa shumë më të ulëta dhe vende pune kudo, le të mbretërojnë të dhënat”, shtoi ai, duke përdorur shprehjen “Let Data Reign”.
Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve kundërshtojnë përhapjen e qendrave të të dhënave në komunitetet e tyre, një shenjë e shqetësimeve për ndryshimet e shpejta ekonomike dhe humbjen e vendeve të punës për shkak të makinerive.
Banorët kanë përmendur gjithashtu efektet e mundshme negative ndaj mjedisit dhe rritjen e faturave të shërbimeve publike si arsye për të kundërshtuar qendrat e të dhënave.
Qendrat e të dhënave – komplekset gjigante kompjuterike që po fuqizojnë bumin e inteligjencës artificiale – kanë shkaktuar një reagim të fuqishëm kundërshtues në mbarë vendin, i cili pritet të ndikojë në vendimet e disa votuesve gjatë zgjedhjeve të mesmandatit në nëntor.
Banorët në më shumë se një duzinë qytetesh dhe qytezash në të gjithë vendin janë aq të zemëruar me zyrtarët e zgjedhur vendorë që kanë miratuar ndërtimin e këtyre objekteve me konsum të jashtëzakonshëm energjie, saqë nuk po presin zgjedhjet e rregullta.
Zyrtarë lokalë po përballen me votime për shkarkimin e tyre nga detyra për shkak të mbështetjes që u kanë dhënë këtyre projekteve.
Çështja është bërë politikisht shumë e fuqishme, me demokratë dhe republikanë – me përjashtim të Trumpit – që po përpiqen ta përdorin mbështetjen e kundërshtarëve të tyre për qendrat e të dhënave si armë politike kundër tyre.
Një memorandum i Komitetit Kombëtar Republikan Senatorial paralajmëroi së fundmi se politika rreth qendrave të të dhënave po rrezikon perspektivën zgjedhore të senatorit republikan të Ohajos, Jon Husted.
Husted u emërua në Senat në janar 2025 për të plotësuar vendin vakant të lënë nga JD Vance pasi ky i fundit u bë nënpresident.
Kundërshtari i Husted, Sherrod Brown, ish-senator demokrat i Ohajos, ka transmetuar reklama me vlerë miliona dollarë, duke e cilësuar Husted-in si “fytyrën e qendrave të të dhënave në Ohio”.
“Më shumë se çdo çështje tjetër në këtë garë, qendrat e të dhënave janë spiranca që i rëndon në qafë Husted-it”, thuhet në memorandumin republikan.
Edhe në Wisconsin çështja është kthyer në armë politike.
Përfaqësuesi republikan Tom Tiffany, i cili kandidon për guvernator, publikoi së fundmi një reklamë televizive që përpiqet ta etiketojë rivalin e tij demokrat si “Data Center David Crowley” – “David Crowley i qendrave të të dhënave”.
Në reklamë shfaqet një fragment ku Crowley, drejtuesi ekzekutiv i Milwaukee County, flet me entuziazëm për inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave.
Crowley më pas është përpjekur të distancohet nga këto deklarata.
“Nëse komunitetet lokale nuk duan një qendër të dhënash, ato nuk duhet të detyrohen ta kenë një të tillë. Pa asnjë ‘nëse’, ‘dhe’ apo ‘por’”, shkroi ai në faqen e tij të fushatës.
Trump, megjithatë, nuk po shfaq rezerva të tilla.
Presidenti paralajmëroi të hënën se nëse Shtetet e Bashkuara nuk investojnë në qendrat e të dhënave të nevojshme për të fuqizuar inteligjencën artificiale, përfituesja kryesore do të jetë Kina.
Ai shkroi se nëse komunitetet amerikane nuk duan qendra të të dhënave për zhvillimin e inteligjencës artificiale, atëherë Pekini do të përfitojë nga kjo.
“Nëse e vrasim patën që bën vezët e arta, do të mund të fajësoni vetëm veten”, shkroi presidenti.
“Kina nuk mund të ishte më e lumtur me këtë lëvizje kundër qendrave të të dhënave.”/NYT















